Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se dy shtesat e rritjes së pagës për administratën për muajin prill dhe maj do të merret brenda qershorit. Ministrja shpjegoi arsyet e vonesës që soli shtyrjen.
“Janë mbi 200 institucione publike që përfitojnë dhe zbardhja e vendimeve dhe hartimi i një udhëzimi të qartë si duhet të veprojnë për zbatimin e rritjes së pagave duke qenë se ka disa ndryshime si llogaritet paga, nga klasa te vjetërsia e punës, që lidhet me zbatimin e vendimit të këshillit të ministrave dhe për të mos vonuar pagat e majit për qershorin. Ne vendosëm që pagat të jepeshin sikur ishin dhe të merrej pak kohë që të mos bëheshin gabime.
Udhëzimi është në prag të finalizimit. Ku është i parashikuar si do të aplikohet shtesa mbi pagë. Që të mos aplikohen të gjitha në pagën e një muaji, por të shpërndahet për muajin specifik, pa shkaktuar gjoba nga Tatimet. Zbatimi ka një procedurë që nuk është e thjeshtë. Nuk ka asnjë ndryshim te koeficentët dhe shkallëzimi kur do të hyjë në fuqi. Sa i përket anës buxhetore, qëndrojnë të njëjtat. Për muajin prill dhe maj shtesat do të jepen gjatë këtij muaji” tha ajo.