Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i është përgjigjur kërkesave të SHBA-së dhe QUINT-it për të ulur gjendjen e gatishmërisë për luftë të ushtrisë së Serbisë.
“Nga gjendja e gatishmërisë më të lartë kemi kaluar në një shkallë më të ulët të gatishmërisë për luftë. Por ende kemi një numër të rëndësishëm të forcave dhe mjaftueshëm që t’i ndihmojmë popullit tonë këtë duhet ta dinë njerëzit” ka thënë Vuçiç.
Vuçiç deklaroi se situata në veri të Kosovës është tensionuar dhe nevojitet një zgjidhje e menjëhershme për banorët e këtyre zonave.
Lideri serb u shpreh se vendi i tij është i gatshëm për kompromis për tejkalimin e kësaj situate, por është e nevojshme që 4 kryetarët e komunave të japin dorëheqjen.
“Ne jemi të gatshëm për kompromis, thjesht po ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqje. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojë formimi i Asociacionit”, tha Vuçiç.
“Kam pasur një bisedë jo aq të lehtë me Miroslav Lajçakun, me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë.
Nuk mendoj se duhet të them se cilat shtete janë. Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë.
Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë, konflikt. Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, tha Vuçiç.