Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, lidhur me situatën në Kosovë.
Senatorët amerikanë, sipas një njoftimi të Presidencës serbe, i kërkuan Serbisë vetëpërmbajtje dhe bën thirrje për paqe.
“Murpy, Shaheen dhe Ricketts i thanë presidentit Vuçiq se ata kërkojnë vetëpërmbajtje nga Serbia dhe thirrje për paqe sepse kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.
Sipas këtij njoftimi, gjatë kësaj bisede, tema e vetme ka qenë situata në veri të Kosovës.
Vuçiq u ka thënë senatorëve amerikanë se “qartazi dhe pa asnjë dyshim”, arrestimi i Millun Millenkoviq- Llune ishte provokim dhe një krim, që sipas tij, u krye nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Presidenti serb tha se Kurti po “tenton të provokojë një luftë në zemër të Evropës”.
“Serbia po bën gjithçka për të ruajtur paqen, por populli serb në Kosovë i është ekspozuar torturës dhe ndjekjes më të keqe në 15 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Gjatë 13 qershorit, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”. Ai, sipas Sveçlës, ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Zveçan më 29 maj.