Në Lezhë u zhvillua takimi i parë konsultues publik në kuadër të reformës territoriale, duke shënuar nisjen e një serie dëgjesash në të gjithë Shqipërinë.
Bashkëkryetari i kësaj reforme, Arbjan Mazniku, e vlerësoi këtë si një moment të rëndësishëm për hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendorë.
“Është një privilegj i jashtëzakonshëm që sot zhvillojmë takimin e parë konsultues publik. Ky është i pari i një serie dëgjesash në të gjithë Shqipërinë, ku qëllimi është të hapim një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendor. Pjesa më e madhe e çështjeve që prekin qytetarët lidhen drejtpërdrejt me pushtetin vendor, dhe për këtë arsye është e rëndësishme që ky proces të zhvillohet jo vetëm në nivel politik, por edhe në nivel qytetar. Jeta e përditshme e njerëzve është e lidhur me bashkinë, dhe kur ata mendojnë për shtetin, shpesh mendojnë për ndërveprimin që kanë me pushtetin vendor,” u shpreh Mazniku.









