-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Turizëm në gjithë Shqipërinë, por siguri vetëm në det

Kryesoret

Sezoni turistik është në prag të shpërthimit të tij, por edhe në këto ditë ende të paqëndrueshme të motit, janë të shumtë vizitorët e huaj që vijnë në Shqipëri.

Edhe pushteti qendror, por sidomos ai lokal, duket qartë që janë të përqendruar shumë në mbarëvajtjen e këtij sezoni, pjesë e një industrie kaq fitimprurëse. Në fakt, turizmi është një fushë aktiviteti ku është vështirë të dallohet kufiri ndërmjet investimit privat dhe atij shtetëror. Megjithatë, ky i fundit sado pak të investojë, fitimi është i shumtë. Nga ana e tij, edhe pushteti vendor ka filluar punën që i takon duke mos harruar sidomos ndarjen e zonave të plazhit që do të administrohen nga privatë, si burim gjenerimi të ardhurash për të. Në këto ndarje nuk kanë munguar edhe përplasjet e dhunshme.

Duket qartë se vëmendja më e madhe e privatëve është përqendruar aty ku edhe fitimet janë më të shumta. Të njëjtën logjikë ndjek edhe pushteti vendor dhe ai qendror. Kjo bën që të gjithë të jenë të orientuar në bregdet, edhe për faktin se frekuentimi aty është mjaft masiv. Kësaj atmosfere nuk i mungon as propaganda që po lë me gojë hapur gjithkënd. Ndërkohë nëse përqendrohesh te publiciteti i kompanive të huaja dhe të atyre vendore lidhur me turizmin në përgjithësi, shihet se turizëm natyrshëm ofrohet në gjithë territorin shqiptar. Natyra e tij e bukur reklamohet si e virgjër dhe e egër, duke joshur gjithë të dashuruarit e saj.

Megjithatë, në këtë drejtim duket se mungon diçka madhore, diçka e lidhur direkt me përgjegjësitë e qeverisë qendrore. Nëse përgatitjet dhe vëmendja është e orientuar drejt detit, në lidhje me pjesën tjetër të natyrës ku turizmi merr një karakter aventuror për shkak pikërisht të natyrës së egër shqiptare, më shumë se për masa sigurie, flitet për raste fatkeqe aksidentesh. Nëse bëhet fjalë për numër të konsiderueshëm vizitorësh të natyrës, turistë të huaj dhe vendorë, nga ana e qeverisë duhet pasur para sysh edhe parandalimi i këtyre fatkeqësive, njëlloj si ajo që bëhet edhe në bregdet.

Kjo, sepse në medie raportohet se diku një të huaj e rrëmben rrjedha e një lumi dhe mbytet, diku tjetër një grup turistësh me motorë humbasin në thellësi të maleve dhe është Policia ajo që fatmirësisht i gjeti. Po ashtu, një tjetër vetmitar që humbet në male dhe mezi gjendet për të vazhduar jetën normale, për të përfunduar këtu edhe me ndonjë rast aksidenti vdekjeprurës kur dikush rrëshqet në ndonjë shkëmb. Të gjithë këta të huaj, të cilët vijnë dhe zhvillojnë një lloj turizmi aventuror për të shijuar të virgjër natyrën shqiptare në thellësi të vendit, edhe në formën e marshimeve në këmbë, në thelb nuk janë eksploratorë, të cilët duhet dhe ecin e rrezikojnë nëpër shtigje të pashkelura. Po ashtu, edhe udhërrëfyesit vendorë që u prijnë në dëshirën e tyre për të soditur bukuritë shqiptare, nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie nëse ndodh diçka, një aksident. Madje, edhe vetë ata nuk janë të përjashtuar tërësisht nga rreziku për jetën. Ndërkohë, fakte të tilla vazhdojnë të mbeten pjesë e kronikave të zeza, pa u menduar nëse duhet bërë diçka dhe cili duhet të jetë institucioni përgjegjës për të ndërmarrë hapa ligjorë, normativë për siguri më shumë.

Duket sikur nga ana e institucioneve ka një lloj qetësie të ngopur në kufijtë e papërgjegjshmërisë sepse aksidenti konsiderohet fatkeqësi, më pas jeta vazhdon dhe gjithçka ndjek përditshmërinë në normalitet. Por nuk duhet të jetë kështu. Kështu siç veprohet, jemi jashtë një standardi sigurie edhe për turistin, edhe për udhërrëfyesin, standard ky që duhet të ndërmerret dhe vendoset nga Pushteti Qendror e të zbatohet nga ai vendor. Aksidente edhe do të ketë, por kjo nuk do të thotë që reagimi ndaj asaj që ndodh, të jetë zero. Çdo jetë që humbet, është e shtrenjtë.

PËRSE?

Gati të gjithë brezat që janë shkolluar në Tiranë, dekada më parë kanë qenë protagonistë dhe kanë provuar emocionet e ngjitjes në Malin e Dajtit që nga Gurorja e dikurshme. Ngjitje këto edhe në dimër, edhe në verë. Por vetëm disa vite më parë në këtë rrugë të rrahur vite e vite me radhë nga breza të shumtë studentësh, një çift qytetarësh holandezë të pasionuar nga natyra e vendit tonë, u kujtuan dhe patën mirësinë që në shtigjet e ngjitjes për në mal, të vendosnin disa shenja për të orientuar ecjen dhe për të mos thyer qafën.

Ky është një aspekt që flet shumë. Pikërisht një diçka e tillë duhet të jetë në vëmendjen e qeverisë, edhe e Ministrisë së Turizmit, jo vetëm poza vetëkënaqësie. Nëse reklamohet bukuria shqiptare në gjithë territorin e saj, nëse agjencitë turistike të huaja bëjnë të njëjtën gjë për vendin tonë, edhe qeverisë i duhet të hedhë vështrimin e interesimit për të garantuar sigurinë në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm në bregdet.

MË KONKRETISHT:

Në vitin 2014, qeveria aktuale nxori vendimin me nr. 321 “Për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”. Po ashtu, në vitin 2019 kjo qeveri mori vendim tjetër të detajuar me nr. 171, këtë radhe vetëm për plazhet. Të dyja vendimet në fjalë përbëjnë aktualisht bazën e masave të sigurisë që merren aktualisht në dete e plazhe, me qëllim ndër të tjera disiplinimin e motorave të ujit, sporteve ujore e rregulla të tjera për të shpëtuar jetë të atyre që mund të përpihen nga dallgët e detit.

Ndërkohë dokumenti i vitit 2014, i cili pasuroi një tjetër të qeverisë së mëparshme, përcakton edhe disa rregulla sigurie për ujërat e brendshme në kushtet e ushtrimit të raftingut. Por ajo që ka rëndësi të citohet, është fakti që aty përcaktohet shprehimisht se autorizimet për të ushtruar këtë lloj sporti jepen vetëm në disa pika lumenjsh. Me fjalë të tjera vendimi ndërton një standard sigurie pasi lejon vetëm 6 vende për rafting dhe nëse shtohet tjetër, ai duhet të jetë i autorizuar dhe natyrshëm i kontrolluar. Ndërkohë, ajo që aktualisht mungon dhe kërkon urgjencë të zgjidhet në të njëjtën frymë me VKM-të e mësipërme, duhet të jetë një vendim tjetër qeverie i cili ndër të tjera duhet të përcaktojë në rang vendi se cilët do të jenë gjithë itineraret që duhet të ndiqen nga të turistët e huaj dhe nga udhërrëfyesit e tyre për të shijuar natyrën dhe ajrin e pastër.

Po ashtu, këto itinerare duhen paraqitur edhe nëpër harta turistike të shfrytëzueshme nga të gjithë të interesuarit si të huaj dhe vendorë. Jashtë këtyre itinerareve, do të jenë vetë individët që në rast aksidenti do të mbajnë përgjegjësinë për veten. Përveç përcaktimit të tyre në një akt qeveritar, pushteti vendor duhet të marrë masa urgjente për të pajisur gjithë këto itinerare me shenja orientimi me qëllim që të shmanget humbja e rrugës dhe njëkohësisht të vendosen shenja për të përcaktuar vendet që paraqesin rrezikshmëri për jetën e atyre që do t’i frekuentojnë.

Për të rritur sigurinë, pushteti vendor duhet të ndërhyjë edhe me investime që në itineraret në fjalë, në shtigje të thepisura të bëhen rregullime, zgjerime, shtesa pikërisht në vendet që paraqesin rrezikshmëri për humbje jete. Një akt i tillë administrativ do ta bënte turizmin më të sigurt dhe turistët të shijonin natyrën shqiptare e jo të thyenin qafën.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit