Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka marrë fjalën e saj në seancën e sotme plenare, ku po diskutohet për raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2022.
Sipas Zhupës, ky institucion ka vendosur disa standarde tepër të rëndësishme, duke përmendur kryesisht rolin në votën e emigrantëve, ku kërkoi që të bëhet e mundur edhe votimi i tyre nga vendet ku ata jetojnë e punojnë, dhe jo vetëm duke ardhur në Shqipëri fizikisht.
“Avokati i popullit ka vendosur standarde të rëndësishme. Të drejtat e njeriut janë një sfidë, por ti mund ti humbasësh nga një funksionim jo i mirë i qeverisë dhe politikave të saj. Qeveria duhet të garantojë votën e emigrantëve, jo vetëm duke ardhur në Shqipëri, por edhe nga andej ku jetojnë e punojnë. Në lidhje me këtë raport, ne do duhet ta marrim me seriozitet dhe ta shikojmë e shqyrtojmë.
Vlerësoj raportin për fëmijët, për faktin se kush duhet ta paguajë pensioni ushqimor për fëmijët në rast divorci. Duhet të jetë shteti që të garantojë mirëushqyerjen dhe mirëarsimimin e fëmijëve në kësi rastesh. Duhet të jetë shteti që kujdeset për interesin e fëmijëve. Dhe është detyra jonë që ky raport të jetë si dokument pune për t’u kthyer në të mirë të fëmijëve.
Me rëndësi është edhe njohja e Avokatit të Popullit nga organizmat dhe instancat e huaja.”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e saj deputetja Zhupa.