Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një postimi në facebook i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se ai nuk njeh as bashkëpunimin e as kompromisin por ai kërkon vetëm nënshtrim, ku sipas saj PDK është subjekt që nuk nënshtrohet.
Postimi i Çitakut
Albin,
Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%.
Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme.
Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar.
Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet.
Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë.
Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen.