Pika e vetme për të cilën u tha se janë pajtuar në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Dy udhëheqësit zhvilluan më 22 qershor takime të ndara me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Takimi nuk u fokusua shumë në çka, por në atë se si dhe kur”, tha Borrell.
BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar ka kohë që kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtensionojë situatën në veri.
Kjo zonë u tensionua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, hynë në objektet komunale, me gjithë protestat e banorëve serbë.
Këto objekte shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe, ndërsa vetëm në Mitrovicë të Veriut, komuna e Kosovës është e ndarë prej asaj që funksionon nën sistemin serb.
Protestat kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku dhjetëra pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe dhjetëra protestues u plagosën.
Nga ajo kohë, Policia e Kosovës arrestoi disa serbë të dyshuar për akte dhune ndaj forcave policore, pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në veri.
Zgjedhjet e prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë.
Zgjedhjet e reja dhe pjesëmarrja e serbëve në to tani shihen si zgjidhje.
Çka kërkoi BE-ja?
Janë tri kërkesa kryesore që, sipas Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës duhet t’i pranojë “sa më parë që të jetë e mundur”.
Një prej tyre është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit.
Kurti u pajtua me këtë, por me kushtin që ato të jenë “zgjedhje ligjore”.
“Nuk mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme jashtë ligjit. Siç e parasheh ligji në Kosovë – ta zëmë, me nënshkrimet e qytetarëve, të cilët i mbledhin përmes një peticioni, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari të komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit”, tha Kurti pas takimit me Borrellin në Bruksel./REL
Artikulli i plotë këtu.