Euro ka zbritur sërish sot nën kuotën e 107 lekëve, duke iu rikthyer trajektores rënëse, që ishte ndalur disi pas ndërhyrjes në treg të Bankës së Shqipërisë ditë më parë, e cila bleu 15 milionë euro.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 106.91 lekë, me rënie prej 0.13 lekë në raport me të premten e javës së kaluar.
Më e fortë ishte tkurrja e dollarit, që zbriti në 97.75 lekë, ose 0.48 lekë më pak se të premten.
Në datën 9 qershor, euro arriti minimumin historik të të gjitha kohërave, në 105.62 lekë. Në krahasim me fillimin e vitit euro është nënçmuar me 10.55 lekë, ose me 9%.
Ndërsa në raport me fundin e qershorit të vitit të kaluar, euro tregtohet 12.5 lekë më pak, me rënie prej 10.5%. Humbësit më të mëdhenj janë eksportuesit.
Kredimarrësit që kanë hua në euro dhe paguhen në lekë dalin të fituar, pasi u duhen më pak para për të blerë të njëjtën sasi valute.