Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të lehtësuar tensionet me Kinën janë të ndërlikuara nga dallimet e dukshme të opinioneve mbi angazhimet që secila palë ka bërë ndaj tjetrës.
Zyrtarët kinezë dhe media shtetërore këmbëngulin se presidenti amerikan Joe Biden i ka bërë një sërë premtimesh presidentit Xi Jinping– të përshkruara nga Pekini si një kornizë me “katër ‘jo’ dhe një asnjë synim”–që duhet të drejtojë sjelljen zyrtare të Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës.
“Shpresoj se pala amerikane do t’i përmbahet konsensusit që Presidenti Biden dhe unë arritëm gjatë takimit tonë në Bali dhe do të vërë në praktikë synimet pozitive përkatëse”, u citua nga media shtetërore kineze t’i ketë thënë presidenti Xi Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken që vizitoi Kinën më 19 qershor.
Xinhua, media kryesore shtetërore e Kinës, citoi zotin Blinken të ketë thënë se pala amerikane “do t’u bindet premtimeve të bëra nga Presidenti Biden”.
Duke kaluar nëpër listën e katër premtimeve që thotë se ishin bërë, Xinhua raportoi se zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kërkojnë ‘një luftë të re të ftohtë’, nuk kërkojnë të ndryshojnë sistemin politik të Kinës, nuk kërkojnë të kundërshtojnë Kinën përmes forcimit të aleancave, nuk mbështet pavarësinë e Tajvanit dhe nuk ka ndërmend të hyjë në konflikt me Kinën.”
Por kur iu kërkua të konfirmonte se zoti Blinken i bëri këto komente, Departamenti i Shtetit i referoi Zërit të Amerikës një seri intervistash të kryera nga zoti Blinken pas takimit me presidentin Xi në Pekin, si dhe komentet e bëra nga Sekretari Blinken për shtypin./VOA
Artikulli i plotë këtu.