Dhjetëra motoçiklistë të cilët ishin nisur nga qytete të ndryshme të Serbisë në drejtim të Kosovës, janë ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë.
Në drejtim të kësaj pike kufitare janë vendosur edhe automjete të blinduara të Policisë së Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se motoçiklistët janë shpërndarë dhe shumë shpejt do të largohen nga Jarinja edhe njësitet policore.
“Motoçiklistët të cilët kanë ardhur në afërsi të pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, janë shpërndarë. I kemi njoftuar se nuk mund të hyjnë në Kosovë. Shumë shpejt do të largohen edhe njësitet policore nga aty”, ka deklaruar Elshani.
Nga grupi i motoristëve “Bike Rock Mission” më herët kanë konfirmuar për mediat serbe se rrugën për në Kosovë e kanë nisur nga Beogradi “në shenjë mbështetjeje për popullin serb”.

Ata ka thënë se do të udhëtojnë përmes për në Rashkë dhe se presin që gjatë rrugës t’u bashkohen motoristë të tjerë.
Sipas raportimeve në media, motoçiklistët planifikonin që në Kosovë të hyjnë përmes Jarinjës dhe të shkojnë në Leposaviç e Zveçan si dhe udhëtimin e tyre ta përfundojnë në Mitrovicë.
Mësohet se në kolonën e motoristëve nga Serbia, nuk mungonin flamujt serbë dhe mbishkrimet provokuese si “Kosova është djep i Serbisë”./Telegraf









