-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Ndëshkimi që mungoi…

Kryesoret

Si duket, figura e dytë në qeverinë Rama, deri para disa kohësh, zëvendësi i tij dhe disa herë ministër, Arben Ahmetaj, do të jetë objekt i Prokurorisë Speciale, e cila, në ditët e fundit, ka kërkuar arrestimin e tij. Ky do të jetë i treti ministër në dhjetë vitet e qeverisë së tanishme, që, për shkak të akuzave për korrupsion janë gjykuar apo janë në procesin e gjykimit apo të hetimit.

Nuk mund të bëj ekspertin nëse secili prej tyre apo të gjithë bashkë kanë qenë apo janë fajtorë, kjo është në gjykimin e sistemit të drejtësisë, që, bashkë me kryetarë bashkie, sekretarë të përgjithshëm , zëvendës ministra, edhe për një arkë të supozuar me peshk, kanë goditur pjesën qeverisëse të tanishme, pa hetuar, duke mbyllur hetimet, apo edhe duke kundërshtuar vendime të gjyqësorit për të hetuar pjesë drejtuese ekzekutive të qeverisë Berisha apo klanit politik dhe financiar Meta.

Mund të jetë e vërtetë dhe faktet tregojnë se e vërtetë është që, ende edhe sot, shërbime të rëndësishme të vendit janë nën kupolën e një pjese të opozitës. Sistemi i drejtësisë që mbyll sytë, shërbimi informativ që raporton më parë te shefat e dikurshëm, shërbimi policor që ende lidhjet më të fuqishme i ka me kupolën e dikurshme drejtuese, dhe, si duket, kjo do të vazhdojë edhe në një kohë të pacaktuar.

Por, asnjëra prej tyre nuk e shfajëson qeverinë e tanishme. Disa kohë më parë, kur shefi i tanishëm i qeverisë ishte në kërkim të pushtetit, ai deklaronte se për aktet korruptuese nuk ishte fajtor njeriu, por sistemi. Në parim është e drejtë. Sistemi i vendosur në demokracitë e zhvilluara sjell edhe frenimin e korrupsionit, por, veç sistemit, ajo që përbën thelbin qëndron në kontrollin e vazhdueshëm, pa asnjë ekuivok, të fuqishëm dhe pa dhimbje.

Sepse shefi i qeverisë ka në strukturën e tij sisteme kontrolluese, të cilat e kanë për detyrë të informojnë për çfarë ndodh, si ndodh dhe nga kush.

Opozita ka bërë mëkate të mëdha në qeverisjen e saj, tepër të rënda për financat dhe ekonominë e shtetit. Të gjitha dihen nga njerëzit, veç SPAK-ut që bën sikur nuk e di; opozita, kur sundonte ka hedhur në erë një fshat të tërë dhe janë vrarë mbi 30 vetë në luginën e vdekjes në Gërdec, mes tyre edhe fëmijë.

Dhjetë vite në pushtet kanë qenë e janë të mjaftueshme për të bërë denoncinet serioze për ndëshkimin. Por është heshtur për Gërdecin, është heshtur për 21 janarin, është heshtur për manipulimet e mëdha të ish kompleksit Partizani.

Prej kohe, që në fillimet e qeverisjes së tanishme, gazeta DITA ka shtruar me forcë çështjen e ndëshkimit të së keqes, edhe pse nganjëherë ka qenë e pa dashur për pushtetin. Të mos ndëshkosh të keqen, do të thotë ta mbjellësh atë edhe më shumë. Të falësh të keqen , do të thotë ta risjellësh atë.

Nuk e di se si do të jetë e ardhmja e një funksionari të lartë si Ahmetaj, apo se si do të shkojë gjykimi i mëtejshëm i ish ministrit Koka, këto janë çështje që zgjidhen përmes një sistemi të tërë, por jam i bindur se gjithçka do të mund të shmangej, nëse qeveria e tanishme, duke i bërë publike dosjet, mëkatet dhe të zezat e qeverisë së mëparshme, edhe pse sistemi i drejtësisë po hesht, do të kishte sjellë shembullin e vetë ndëshkimit.

Të pakët do të ishin ata që do të guxonin të abuzonin me pushtetin apo të silleshin si padronë të shtetit, nëse ndëshkimi i së shkuarës, do kishte ndodhur./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit