Pas takimit mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak ditën e djeshme u njoftua se kanë rënë dakord për një marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri.
Sipas marrëveshjes mësohet se brenda dy javësh pritet të shtensionohet situata. Qeveria e Kosovës tregoi pikat e marrëveshjes, por mesa duket nuk i përfshiu të gjitha pasi la pas një detaj.
Gazeta Express sipas informacioneve nga Brukseli mëson se marrëveshja e detyron Kosovën edhe që të “mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.
Zyrtarja për shtyp e BE-së, Zoï Muletier tha për Express se Bislimi dhe Petkoviç u pajtuan për hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për shtensionimin e situatës, duke përmendur edhe një diçka që Qeveria nuk e tha.
“Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 3 qershorit të BE-së”, tha Muletier.
“Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha”, shtoi ajo.
Muletier shtoi se Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.
Po ashtu, Kosova duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme lokale.