Gjykata e lartë e Suedisë bllokoi të enjten ekstradimin e dy turqve, për të cilët Ankaraja thotë se janë pjesë e një grupi terrorist. Vendimi ka gjasa të ndërlikojë përpjekjet e Stokholmit për t’u anëtarësuar në NATO vetëm disa ditë pasi Turqia hoqi pengesat ndaj anëtarësimit të Suedisë.
Suedia dhe Finlanda bënë kërkesën vitin e kaluar për anëtarësim në NATO pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, duke hequr dorë nga politikat e mosangazhimit ushtarak që kishin zbatuar gjatë Luftës së Ftohtë.
Turqia kishte frenuar ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në aleancë. Ankaraja e akuzon Stokholmin se po bën shumë pak për të trajtuar shqetësimet e Turqisë lidhur me individët që i cilëson si terroristë, ndërsa ekstradimi i tyre përbën pikën kyçe.
Megjithatë, pas disa muajsh zvarritjesh, Presidenti Tajip Erdogan ra dakord të hënën që ta shqyrtojë në parlamentin turk kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO.
Turqia kërkon ekstradimin nga Suedia të dy shtetasve turq nën akuzën se janë pjesë e lëvizjes Gylen, të cilën e cilëson si organizatë terroriste. Turqia thotë se kleriku që jeton në SHBA, Fethullah Gulen qëndron pas një tentative për grusht shteti në vitin 2016.
Qeveria e Suedisë vendos për kërkesat për ekstradim dhe ka fjalën e fundit. Por Gjykata e Lartë e vendit tha se kishte pengesa ligjore lidhur me kërkesën e Turqisë në këtë rast.
“Është një lloj deklarate këshillimore nga Gjykata e Lartë, por nëse Gjykata e Lartë tha se ekstradimi nuk mund të ndodhë sepse ka sfida ligjore që e kundërshtojnë atë, qeveria nuk lejohet ta ekstradojë personin”, tha gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Cecilia. Renfors, për agjencinë e lajmve Reuters./VOA
Artikulli i plotë këtu.