Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk ka asnjë pretendim për kandidatin në zgjedhjet në Kukës duke i lënë rrugë të lirë Sali Berishës që të zgjedhë emrin që do të garojë. “Ne do të mbështesim atë kandidat që do të përzgjedhë PD-ja dhe të gjithë aleatët e saj.
Dhe kjo është padiskutim. Nuk kemi asnjë pretendim për asnjë kandidat nga Partia e Lirisë për bashkinë e Kukësit” tha ai. Ish-presidenti kishte një koment edhe për protestën pasditen e së hënës në Himarë që u zhvillua për të kërkuar lirimin e Fredi Belerit.
“Nuk kam asnjë koment për protestën. Në një vend demokratik duhet të jetë të përditshme dhe natyrave të ndryshme. Kam një qëndrim të qartë për rastin Beleri, që është një i burgosur politik, personalisht, i kryeministrit aktual. Qëndrimi ndaj tij është mos ekzistim i shtetit ligjor në vendin tonë që atij t’i pamundësohet betimi, pas fitores që e realizoi edhe si i ndaluar në mënyrë të paligjshme. Dëshmitarët ishin të fabrikuar” tha ai.
I pyetur për dy kryetarët e bashkive të Athinës dhe Selanikut që protestuan në Himarë, Meta tha “Asnjëherë nuk kam qenë partizan i ndërhyrjes në zgjedhjet e të tjerëve, në Greqi apo Amerikë, të politikanëve shqiptarë. Nuk më pëlqen kur politikanë të huaj ndërhyjnë në zgjedhjet në vendin tonë” tha ai.
Akuzoi qeverinë se po vendos dy taksa të reja që rëndojnë xhepat e qytetarëve. “50-75% është rritja që familjet shqiptare do të paguajnë si taksë për pronat e tyre duke zhvatur miliona euro. Edhe projektligji për sigurimin e detyrueshëm është një tjetër taksë që qeveria u merr shqiptarëve. Qeveria rrit taksat, por jo pagat dhe shërbimet që lidhen me pronën dhe shërbimet që paguajnë” tha ai.