Nënkryetari i Këshillit Bashkiak-Tiranë, Dorian Teliti i bëri thirrje Ministrisë së Financave që të ndërpriten menjëherë pagesat nga Thesari i Shtetit për inceneratorët fantazëm.
Pak ditë më parë SPAK sekuestroi edhe inceneratorin e Tiranës duke iu bashkuar atij të Fierit dhe Elbasanit. Pronarët e inceneratorët janë në kërkim bashkë me ish-zv/ kryeministrin Arben Ahmetaj.
“Janë plot 103 milionë euro të paguara për një shërbim që nuk është kryer, atë të incenerimit të mbetjeve.
Incenerimi, apo ndryshe djegia e plehrave nuk është kryer, thjesht për faktin se një proces i tillë nuk kryhet nga koncesionari.
Ama paratë janë paguar sikur ky shërbim jo vetëm ekziston, por madje nuk është ndërprerë as edhe një ditë.
Ligji Organik i Buxhetit e ka të shprehur qartë se per te kryer nje pagese thesari duhet që kërkesa të jetë e shoqëruar nga dokumentacioni që vërteton kryerjen e shërbimit përkatës.
Nëse inecenerim nuk ka, atëherë si është e mundur që të vërtetohet në dokumenta një shërbim i tillë, përveç rastit kur dokumentat falsifikohen, apo zyrtarët e lartë të institucioneve firmosin në shkelje të ligjit për një punë të pakryer?
Si është e mundur që pagesat janë kryer nga Thesari i Shtetit, ndonëse të gjithë, i madh e i vogël, e di që incenerim nuk ka?” deklaroi ai.