Edhe pse pandemia përfundoi, Covid- 19 “vijon” ende të jetë me ne. Gati 2 vjet pas përfundimit të saj, dëmtimet afatgjatë në shëndet pas infektimeve nga Covid-19, po bëhen barrë jo vetëm për individët, por edhe për sistemet shëndetësore.
Ilir Allkja mjek i urgjencës në një nga klinikat private pohoi për “Monitor” se 2 vitet e fundit është shtuar numri i pacientëve për trajtim të pasojave post Covid-19. Pasojat kryesore afatgjatë në shëndet të pacientët e prekur nga Covid-19 po ndihen si te ndryshimi i ritmit të frymëmarrjes, te çrregullimet kardiologjike dhe neurologjike.
“Ndryshime të ritmit të frymëmarrjes. Pneumonia nga Covid-19 mund të dëmtojë alveolat (hojëzat) në mushkëri të cilat mund të çojnë në probleme afatgjata të frymëmarrjes, të tilla si gulçim, frymëmarrje të shpeshtë, me ndërprerje (apnea) etj. Përveç indit pulmonar në pneumonitë nga Covid-19 dëmtohen (raste të provuara) edhe muskujt e frymëmarrjes; ata ndërbrinjorë dhe diafragma. Çrregullimet neurologjike janë hasur në shumicën dërrmuese tek personat që kanë kaluar pneumoni nga Covid-19.
Si mjek e kam ditur se viruset mund të ndikojnë në tru dhe funksionin e tij. Dhe mjekët neurologë e kanë vërejtur shumë e shumë të tilla çrregullime. Këto çrregullime përfshijnë vështirësi në përqendrimin dhe vëmendjen, dëmtim të kujtesës. Po ashtu edhe vështirësi në gjetjen e fjalëve janë ankesat më të shpeshta të pacientëve që unë vizitoj. Shqetësimet e gjumit dhe lodhja, mund të kontribuojnë më tej në problemet e të menduarit, duke e bërë jetën e përditshme, punën dhe aktivitetet më të vështira.
Gjithashtu në shumë raste infeksioni i Covid-19 përveç mushkërive ka prekur edhe zemrën. Pjesërisht ose gjithë strukturat; perikardil, miokard dhe endokard. Ky infeksion ka shkaktuar inflamacion dhe dëmtim të qëndrueshëm të muskujve të zemrës. Dëme të tilla kanë ndodhur edhe tek personat që kanë pasur simptoma të lehta të virusit. Pasoja të diagnostikuara janë aritmitë, disfunksionet valvulare, ndryshime kinetike e hemodinamike”, thotë mjeku Allkja.
Depresioni dhe ankthi gjithashtu sipas mjekëve janë rritur shumë që në nisje të pandemisë. Për 4 mujorin e parë 2023 numri më i lartë i të shtruarve është te spitalet psikiatrike. Në këtë periudhë numri i pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike ishte 1,122 pacientë. Nga 749 pacientë të shtruar në 4-mujorin 2022. Krahasuar me vjet numri i të shtruarve në psikiatri është rritur 50%./Monitor/