Bashkëthemeluesi dhe komandanti ushtarak i grupit mercenar rus Wagner, Dmitry Utkin, u varros sot pranë Moskës, pasi vdiq pas rrëzimit të avionit që vrau edhe shefin e tij, Yevgeny Prigozhin.
Dmitry Utkin, 53-vjeç, nofka “Wagner” e të cilit i dha emrin ushtrisë mercenare, u varros në Mytishchi, në periferi të Moskës, në një ceremoni të rrethuar nga policia ushtarake ruse, sipas faqes së lajmeve Shot.
Prigozhin është varrosur më 29 gusht në një ceremoni po aq të heshtur në qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburg, që ishte në kontrast të thellë me personalitetin e tij të zhurmshëm në rrjete sociale.
Përpara se të ndihmonte për të themeluar Wagner si krahu i djathtë të Prigozhin, Utkin shërbeu si oficer i forcave speciale në shërbimin e inteligjencës ushtarake GRU, ku mbante gradën e nënkolonelit.
Ai luftoi për Wagner për të mbështetur fushatat ushtarake të Moskës në Siri dhe Ukrainë dhe u fotografua në vitin 2016 në Kremlin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në fund të qershorit, një burim i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Utki ishte udhëheqësi i një grupi të armatosur të kryengritësve të Wagner që marshuan drejt Moskës për ta mbështetur kërkesën e Prigozhin që udhëheqja ushtarake e Rusisë të jepte dorëheqje për dështimet e saj në atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë.
Rebelimi jetëshkurtër paraqiti sfidën më të madhe për pushtetin e Putin që kur ai erdhi në pushtet në vitin 1999, duke e shtyrë presidentin rus t’i akuzonte autorët e rebelimit për “tradhti” dhe “thikë pas shpine”.
Utkin, Prigozhin dhe kreu i logjistikës i Wagner, Valery Chekalov, ishin në mesin e dhjetë personave që vdiqën kur avioni privat Embraer Legacy 600 i Prigozhin u rrëzua nga qielli në veri të Moskës më 23 gusht. /REL