Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Behar Bajrit në kudër të operacionit “Metamorfoza”.
Blutë bëjnë të ditur se arrestimi i tij u bë falë shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë franceze.
Ndërkohë pas arrestimit të tij kanë filluar procedurat për ekstradimin e Bajrit në vendin tonë.
“Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar B. B., 43 vjeç. Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Parisin, vijojnë punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit”, thotë policia.