Shtëpia e Bardhë paralajmëroi më 5 shtator se Koreja e Veriut do ta “paguajë shtrenjtë” nëse e furnizon Rusinë me armatim për luftën e saj në Ukrainë, pasi lideri verikorean Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet të bisedojnë për këtë çështje.
Rusia, e goditur nga sanksionet, është e etur për të siguruar më shumë furnizim me armë nga aleatët e vet, në mënyrë që ta përforcojë ushtrinë e vet në një kohë kur Kievi po e vazhdon kundërofensivën për ta çliruar territorin e vet.
Këshilltari i presidentit amerikan Joe Biden për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha se Peniani dhe Moska synojnë “bisedime në nivel liderësh, madje takim kokë me kokë” për nevojën e Rusisë për armatim.
Sullivan tha se Rusia mund t’i përdorë armët e Koresë së Veriut për t’i sulmuar furnizimet me ushqim dhe infrastrukturën e ngrohjes para se të futemi në dimër, në tentim “për të pushtuar territor që i përket një kombi tjetër sovran”.
Ai shtoi se “fakti që Rusia detyrohet t’i drejtohet një vendi i Koreja e Veriut flet shumë”.
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, udhëtoi drejt Koresë së Veriut në korrik në kërkim të sigurimit të municionit shtesë për luftë, tha Shtëpia e Bardhë.
Kremlini tha të martën se nuk është në gjendje ta konfirmojë takimin mes Putinit dhe Kimit.
Cho Han-bum, hulumtues i lartë në Institutin Korean për Unifikim Kombëtar, tha se sanksionet nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndalur shkëmbimin e armatimit mes Rusisë dhe Koresë së Veriut./REL