Një javë sa për një vit. Ngjarjet u këputën një nga një si gjethet e vjeshtës që bien te këmbët. Parlamenti iu kthye punës baballarët dhe mëmat e mbushën atë me brengat e veta. Si të menduar, halleshumë, ndokush prishaqejf i ngjitëm shkallët. Mazhoranca mendonte pasditen, qeveria shihte me urrejtje grupin- ndërsa ai po kaq atë duke pritur të errurit e datës katër kur Babo do priste kokat në amfiteatrin e Xibrakut.
Për habinë tonë tek dera e brendshme e veshur si për festë me një të gjelbër rrezitëse mbi të bardhën kallkan na priste Blerina dhe Etilda në blu të fortë mbi të zezën e praruar me nga një tabaka në dorë. Mbi të si pirg rrinin një mori me tollona nafte nga ajo që do dalë në Shpirag.
Merrni pa hesap, merrni, merrni mbushni xhepat, Babo i ka taksur për ju kumbonte pishtari i epokës së hajrit, marifetit dhe bereqetit Kosta i Linditës e Gramozit tek vërtitej sa andej-këtej duke bërë qeram. Ndonjërin që ik pa marrë e ndiqte nga pas dhe i rraste fap ca në xhep. Po ku do i mbushim pyeta unë? Po ja tha, kur të vijë dita kaloni nga Kryeministria në oborr, aty Majko i cili është xhymert i madh me Nikon nikoqir me zorrë nga dritarja iu mbushin bidonët kështu ju vërtiteni nëpër Shqipëri pa hesap.
J’allah j’allah thamë një zëri. Hymë brenda. Nuk e dinim që lideri i vogël historik kishte menduar të na përmirësonte humorin e tersin të na bënte def nga sytë. Ky vit meditimi e kishte bërë shakaxhi të madh qerratanë. Dy gisht kartë që në të gdhirë kishte nisur për në Kuvend të cilën zonja Linditë e lexoi me përtesë e bezdi si fjalimet në vaki. Luli shpallej edhe Kryetar grupi.
Salianji më shikonte i pahabitur dhe më shkruante të kam thënë more bekim që aleatin më madh ai ka fuqinë për të mos ndjerë turp. Ha-ha e hi-hi qesh i madh qesh i vogël, qesh opozita qesh edhe mazhoranca! Nuk ndaleshin hukamat e rënkimet e ëmbla që shkakton hareja. Helidon Bushati kërkonte ujë, sillni more ujë se u mbyta në keni shpirt u drejtohej punonjësve të administratës. Plasa ore, plasa vikaste Sajme Korreshi.
Dhurata Çupi shpërndante letra të ujosura sa për të njomur buzët e thara furie. Shyqyr erdhi Merita me dy qypa dhe lagëm të gjithë buzët nga pak e morëm frymë të rehatuar. Gaz Bardhi, heroi i sagës së re shpërtheu “po ti qenke qesharak more dredharak, po t’i qenke hipokrit more stamastik, të ngre zgupthi more haram se po fola unë s’e ke të gjatë”.
Të gjithë për një çast besuam se puna do shkojë tek alltia. Luli u murrëtye zemërvrarë. Jorida kësaj here nuk qau po hyri në mes si Ajkuna që ndau Mujin me Halilin nga sherri e davaja. Doktori ndiqte skenën me bisht të syrit gjithë gëzim. Koha po çonte ujë në mullirin e tij rrotën e të cilit po ruanin Mondi me doktor Tritanin.
Erdhi nata më e zezë se ferri. Babo mbajti një fjalim të gjatë si Doktor Gjilpëra torturues aq sa në fund të gjithë ishin gati të hiqnin dorë nga çdo gjë që tmerri një fund të kishte. Të ngrysur, të murosur prisnin me sini kokat që binin. Çyrbja i merrte një nga një dhe i largonte nga salla. Babo cingun me ata që njeh e bujar me të panjohurit e meremetoi qeverinë dhe i la me gisht në gojë mëtonjësit e skuqur pritshmerish.
Niko më pas piu një kafe me Ditmarin të cilit i tha, nuk më bëri mirë ajo e ecura nga liqeni vite më parë, të këshilloj ta lësh dhe ty se merr ftomë e s’ka ilaç që ta heq. Psherëtiu Ditmari i gjorë. Ulsiu pa me krenari të përunjur nja tre- katër nga ata që e donin vendin e tij. Tao i cili merret me gjëra të mëdha dhe të vogla njëkohësisht shfaqej i nginjur me besim. Bora jetonte enigmën nëse do i shkojë muhabeti mbroth me Delinën si me Edonën tani që Hasani do zërë vendin e Gertës që ikën tek qoshja tjetër.
Ndjeu vetmi dhe mall. Tek shikonte fytyra të murrëtyera Arben Pëllumbi i qortoi paq, këto punë i ndan Babo si shapin nga sheqeri. Ai di ç’bën. Ra heshtja, vetëm e qara e gëzueshme e Tezes çau tisin e natës si shiu i bereqetshëm në arat e thara. Nën kushtrimin e Gaz Bardhit, trim tribun i djalërisë, opozita u thirr në besëlidhje. Në fillim ndenjëm si në ferra. Doktori erdhi me vonesë nja 15 minuta të mira.
Eh i di mirë këto punë, mesazhi të gjithë me presin mua. Na ishte tharë xhani. Luan Baçi kishte marrë ca raki ballë kazani manaferre madje. Fatmiri Mediu ca qofte të mira e pak konserva peshku. Unë ca speca djegës e ashtu u sajdisëm. Bëmë muhabet. Ato pakogjë që thashë me duket askujt s’i pëlqyen. Kryezëvendës lideri më pa me tolerancë si për të thënë aq di aq thotë ky.
Në vështrimin e Mondit ndihej nostalgjia për Gazin i cili po i kthente opozitarizmës zulmën. Një event tjetër po kaq i rëndësishëm i cili ngjalli interes ishte libri që shkrimtarja e shquar e realizmit demokratik Albana ka shkruar gjatë kësaj vere të athet “Libri i zi i 14 Majit”. Në mereqepin e mbushur me lotët e Joridës e kishte ngjyer pendën atyre ditëve të gjata duke tejkaluar meritë e së shkuarës.
Kryezëvendës lideri i cili i ka zët gjithë këto xhingla-mingla shfaqej i përzhitur i sapo mbërritur nga frontet e vështira. Shkrimtari më i madh në partinë tonë është doktori jo këta i tha dikujt. Pastaj mërmëriti kjo nuk është kohë për libra po për beteja dhe luftë. Doktori e dëgjoi dhe ngadalë i tërhoqi vëmendjen, “ky është një libër i dobishëm që ta lexojë i madh dhe i vogël” pastaj librat e tjerë nuk kanë ç’ju duhen, ju turbullojnë besimin, ata i lexoj vetëm unë, por Albana është një shkrimtare e shkëlqyer e partisë sonë. Ja kështu u bë mullar kjo javë me ndodhira.