Në Kosovë, qeset e plastikës janë bërë me pagesë ndërsa në disa vende do të ndalohen plotëssisht ka deklaruar sot ministri i mjedisit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në një konferencë së bashku me shefin për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Aliu tha se ndalimi i qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron do të jetë i menjëhershëm dhe gjithashtu ato do të lejohet të përdoren vetëm për fruta.
Ndërsa për qeset prej 25 deri në 50 mikron, Aliu deklaroi se do të lejohet përdorimi i tyre por që do të jenë me pagesë dhe se nuk do të kenë logo të prodhuesve.
“Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës do të ju informoj se do të kemi ndalim të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 de 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset,” tha Aliu.
Ministri tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë.
Bashkimi Evropian në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e qeverisë për ndalimin e përdorimit të disa qeseve të plastikës.
“Jemi krenarë që prezantojmë një akt të ri ligjor për “Paketimet dhe Mbetjet e Paketimit”, në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe Axhendën e Gjelbër. Kjo shënon një hap më afër drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën,” thuhet në reagimin e tyre.