-sidi education-spot_img
26.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Kundër dembelisë elektorale të shqiptarëve të Zvicrës

Kryesoret

Më 22 tetor në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e deritanishme në Zvicër ka qenë tmerrësisht e ulët. Kjo përtaci elektorale duhet të marrë fund. Dhe duhet të marrë fund menjëherë. – Një fjalë e mbajtur të dielën në Zürich në kuadër të debatit me tre kandidatë shqiptarë për anëtar të parlamentit të Zvicrës.

Pjesëmarrja në zgjedhje nuk është obligim. Mund të rrini në shtëpi, të pini kafe apo birrë – dhe derisa e bëni këtë, të tjerët vendosin për ju. Pastaj ju në katër vitet e ardhshme mund të vazhdoni të pini çfarë të doni, të bëni çfarë të doni, por të tjerët tashmë kanë vendosur për ju, por ndoshta jo duke marrë parasysh interesat tuaja. Mund të zemëroheni, mund të frustroheni, por kush do të bëhet merak për këtë – punë e madhe! Mund t’i bini fyellit!

Pjesëmarrja në zgjedhje është privilegj demokratik. Këtë privilegj dhe këtë të drejtë më 22 tetor në Zvicër e gëzojnë 5,5 milionë zgjedhëse dhe zgjedhës. Prej tyre – supozoj – janë disa dhjetëra-mijëra shtetas zviceranë me prejardhje shqiptare. Nga e kaluara e dimë: pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e këtushme është tmerrësisht e ulët.

Shumë njerëz nga komuniteti shqiptar e kanë keqkuptuar pajisjen me pasaportë zvicerane: atë e shohin vetëm si dokument që të mundëson liri gati të pakufishme të lëvizjes – mund të shkosh edhe në Kubë pa vizë. Por shtetësia zvicerane nënkupton një gatishmëri, qoftë edhe minimale, për t’u identifikuar me Zvicrën dhe përditshmërinë e saj politike dhe shoqërore. Identifikimi real fillon me ushtrimin e të drejtave demokratike. Një statistikë e para disa viteve tregoi se nga kosovarët e pajisur së fundi me shtetësi në Zürich, vetëm 10,8 për qind kanë marrë pjesë në zgjedhje. 10,8 për qind!

Ky dezinteresim për politikën zvicerane është skandaloz. Çdo vendim që merret në Zvicër në një mënyrë apo tjetër ndikon në jetën tuaj. Gati asnjë vendim që merret në Kosovë, Maqedoni apo vende të tjera të prejardhjes nuk ndikon në jetën e mërgimtarëve në Zvicër. Andaj është urgjentisht e domosdoshme që t’i jepet fund dembelisë elektorale. Për të marrë pjesë në zgjedhje nuk duhet të shkoni fare në lokal zgjedhor. Gati askush nuk e bën këtë në Zvicër. Disa ditë para zgjedhjeve njerëzit e marrin me postë një zarf dhe pa e prishur rehatinë mund të shikoni materialin elektoral dhe të vendosni për partinë dhe kandidatët tuaj të preferuar. Bëjeni këtë! 4 minuta punë për 4 vitet e ardhshme!

Zvicra është vend i pasur, inovativ, i zhvilluar. Por për shumë familje – veçanërisht familje shqiptare – në fund të muajit kuleta shpeshherë mbetet e zbrazët – pasi të keni paguar qiranë, sigurimin shëndetësor, transportin publik, ushqimin. Shpenzimet e jetesës në Zvicër janë gati 60 për qind mbi mesataren europiane. Kjo e relativizon dukshëm mitin për rrogat e larta në Zvicër.

Pastaj janë disa kushëri që duhet mbështetur financiarisht në Pejë, në Gjilan, në Preshevë, në Tetovë dhe në Strugë. Andaj është me rëndësi të përkrahni ato parti që angazhohen për një Zvicër të njerëzve me shanse të barabarta, për rritjen e fuqisë blerëse dhe pensione që mundësojnë jetë me dinjitet. Shumë shqiptarë që pensionohen në Zvicër nuk mund të jetojnë në këtë vend me pensionet e tyre të ulëta. Edhe kjo është pjesë e realitetit në komunitetin shqiptar.

Në zgjedhjet e 22 tetorit po deshët – madje do të ishte mirë – t’ua jepni votën kandidatëve shqiptarë. Por, mbi të gjitha, me rëndësi është pjesëmarrja në zgjedhje. Besoj se tashmë është e qartë se cila parti nuk e meriton asnjë votë nga komuniteti shqiptar: është ajo parti e cila qe 30 vjet vazhdimisht e helmon opinionin publik me fushata antishqiptare, akuza paushalle, gënjeshtra e çka jo tjetër. Të gjitha partitë e tjera janë, pak a shumë, të denja për t’i zgjedhur. Ky është mendimi im personal si qytetar i lirë dhe shtetas i këtij vendi.

40 për qind e banorëve të Zvicrës kanë origjinë të huaj. Shumica e partive zvicerane sidomos sivjet janë duke bërë përpjekje të peshkojnë vota në mesin e komuniteteve të migrantëve. Kjo është pozitive. Një kandidate e guximshme dhe kreative që nuk i përton pothuaj asnjë konfrontimi, sivjet, gjatë pushimeve të verës, e nisi fushatën elektorale në Aeroportin e Prishtinës – synonte, me gjasë, t’ua bënte me dije atyre që ktheheshin në Zvicër se demokracia nuk ka kufi. Vërtet, demokracia nuk ka kufi, por – po e përsëris – prioritet duhet të gëzojë interesimi për politikën zvicerane.

Është shumë mirë që kemi disa kandidatë shqiptarë që kandidojnë për një vend në parlamentin e Zvicrës. Do të ishte mirë që 60 vite pas ardhjes së mërgimtarëve të parë shqiptarë në Zvicër, në parlamentin e konfederatës të hyjë edhe një kandidat apo kandidate shqiptare. Por do të ishte mirë të hyjë një kandidat a kandidate me përvojë politike. Jo ndonjë nga këta kandidatët që kanë qejf të dalin orë e çast në emisionet e mëngjesit apo pasdites të televizioneve shqiptare sa për t’iu treguar tezeve dhe kushërinjve në atdhe se pa angazhimin e tyre në politikë Zvicra do të bankrotonte. Politikanë të tillë nuk i duhen asnjë komuniteti, as komunitetit shqiptar.

Për shkak të rrethanave historike të 4 dekadave të fundit, komuniteti shqiptar mbetet ngushtë i lidhur me vendin e prejardhjes. Nuk ka gjë të keqe në kultivimin e lidhjeve me atdheun e dikurshëm. Një menaxher i kompanisë ajrore Swiss para disa vitesh më tregonte se një ndër arsyet se përse linja ajrore Zürich-Prishtinë është aq e suksesshme ka të bëjë edhe me transportin e kufomave nga Zvicra në Kosovë. Gati asnjë shqiptar nuk dëshiron të varroset në Zvicër. Por edhe kjo do të ndryshojë, siç kanë ndryshuar shumë aspekte të jetës së shqiptarëve në Zvicër.

Për mijëra shqiptarë Zvicra tashmë është atdheu i parë. Sa më i suksesshëm integrimi, aq më normal do të jetë edhe raporti me atdheun e prindërve apo gjyshërve. Kur para disa ditësh u mblodhëm për të festuar diçka në një kasolle malore afër Zürichut, shumica ishim shqiptarë. Një koleg i imi zviceran me humor tha: “Kështu ka qenë në familjen tonë para dy gjeneratash, kur paraardhësit e mi patën ardhur nga Gjermania”. Na presin dekada interesante si komunitet shqiptar. Andaj, në këtë rrugëtim na duhen edhe politikanë që mbrojnë interesat e komunitetit shqiptar.

Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të folur para jush! Që të tre kandidatëve – Përparimit, Reisit dhe Islamit – ju dëshiroj suksese në zgjedhje. Nejse, njërit prej jush i dëshiroj më shumë sukses, por kjo le të mbetet sekret. Ashtu si vota ime!/ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit