-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Dy goditje në një fuçi dhe nisi festa më e madhe në botë

Kryesoret

Në München është hapur “Oktoberfest”, festa më e madhe jo vetëm e birrës në botë. Një refleksion (deri diku) retrospektiv.

Dieter Rieter e goditi dy herë fuçinë e drurit dhe prej saj filloi të rrjedh birrë. Me këtë akt simbolik kryetari i qytetit të Münchenit e hapi të shtunën “Oktoberfestin”, hallakamën më të madhe gazmore në botë, ku rrjedhin lumenj të pijes së prodhuar nga elbi i tharbëtuar. Festa e sivjetme është e 188-ta me radhë.

Për herë të parë portat e kësaj feste u hapën në vitin e largët 1810. Atëherë ishte gjallë edhe Goethe, poeti më i madh gjerman i të gjitha kohërave (këtu mund të zemërohen adhuruesit e Schillerit, por një birrë mund t’ua qetësojë nervat). Për Goethen dihet se ka qenë birrëpirës i pasionuar, shpesh citohen fjalët e tij: “Birrat na shijojnë, librat kokëçarje na shkaktojnë!”

“Oktoberfesti” është festë popullore. Aty ku është populli, nuk mungojnë as politikanët, përzihen mes njerëzve, demonstrojnë afërsi, por edhe vullnet të çeliktë për t’i bërë ballë pijes nacionale gjermane. Më 1971 një litër birrë kushtonte 2,75 marka. Sivjet vizitorët duhet të paguajnë deri në 14,90 euro për një “Mass” (krikëll).

Festën e madhe të birrës e ka pikturuar nga mesi i viteve 1980-të artisti Michael Mathias Prechtl. Aty shihen si pjesëmarrës revolucionari komunist sovjetik Lenini, shkrimtari revolucionar gjerman Brecht, mbreti bavarez Ludwig II, kush shikon me kujdes e dallon diku edhe një dorë të Hitlerit (një sinjal i artistit se Müncheni ka qenë qendër e lëvizjes naziste).

Mbi krejt këto figura fluturon me një luan bavarez shkrimtari Oskar Maria Graf (me një bukuroshe të zhveshur të cilës një gjarpër i është mbështjellë për trupi). Graf ka qenë një kundërshtar i madh i nazizmit. Më 12 maj 1933 ai botoi në një gazetë të Vjenës apelin: “Digjmëni mua!” – kështu u drejtohej nazistëve të cilët librat e tij i kishin lënë në listën e bardhë, ndërsa kishin nisur të djegin librat e shumë autorëve që i shihnin si majtistë, antifashistë, hebrenj. Përmes Austrisë Graf iku në Amerikë.

Papa e bekon botën me “urbi et orbi”, ndërsa në Bavarinë katolike thirrja më e rëndësishme religjioze është: “Ozapft is” që pak a shumë në shqip i bie: “Urra, u shpërthye…” (fuçia e birrës). Pastaj masat e miletit birrë-adhurues vërshojnë livadhin Theresienwiese në München.

Më 1927 shkrimtari amerikan Thomas Wolfee vizitoi Oktoberfestin. I pëlqente begatia: birrë, biftek dhe biondina pa fund (kështu e shihte situatën amerikani gjermanofil). Ai ishte qejfli. Oktoberfesti i dukej si parajsë. Më 1928 kjo festë gjermane u shndërrua në ferr për Thomas Wolfe. Me mendje të mjegullt nga birra, Wolfe u përfshi në një përleshje brutale. Rezultati: trandje e lehtë e trurit, katër plagë në kokë, hunda dhe disa dhëmbë të thyer. Por Thomas Wolfe kishte humor. Ai shkroi: «Munich almost killed me» (Për pak më mbyti Müncheni). Nënvizoi se në Oktoberfest kishte depërtuar bash në zemrën e vërtetë gjermane: nuk është zemra e poetëve dhe dijetarëve, por një bark i vetëm dhe gjigant. Këtu, vazhdonte ai, hahet, pihet e këndohet në një gjendje bestialisht të turbulluar.

Edhe në vitin 2023 ndër urimet e para pasi të nisë të rrjedh birra ishte ky: “Auf eine friedliche Wiesn” (për një festë paqësore të birrës). Ka nganjëherë vizitorë të “Oktoberfestit” që mendojnë se krikllën e birrës duhet pirë me një gllënjkë (shqipja ka edhe dy sinonime për këtë fjalë: gërrqe dhe hurbë). Ata mendojnë se birrën duhet pirë me grykësi për të respektuar traditat e gjermanëve të Bavarisë. Efekti i keqkuptimeve të tilla vërehet më së largu pas krikllës së tretë (ose të dytë): birrëpirësit fillojnë t’i merren mendët dhe t’i dridhen këmbët dhe tani ekziston rreziku që respektin ndaj kulturës lokale ta shpreh me një vjellje nëpër rrugët e pastra të Münchenit. Në këtë festë popullore edhe për të tillët ka mirëkupim. Ju bën vaki edhe gjermanëve. Ata në raste të tilla mund të këndojnë këngën e këngëtar-poetit Wolf Biermann, e cila përmban këto vargje: “Jetzt wird mir leicht, das Dunkel weicht” (Tash jam lehtësuar, terri është larguar).

“Oktoberfesti” i ka rregullat e veta. Burrat vishen me pantallona lëkure (Lederhose), gratë me Dirndl, një fustan tradicional që sidomos gjatë festës së birrës shtrëngohet e shtrëngohet e shtrëngohet aq shumë nga disa gra me qëllimin e vetëm: për t’i theksuar disa pjesë të trupit.

Sepse “Oktoberfesti” për gjermanët nuk është vetëm festë e birrës… Më e rëndësishmja: qytetit të Münchenit krejt kjo tollovi tërheqëse ia sjell çdo vit më shumë se një miliardë euro. Gëzimi e lumturia e vizitorëve s’mund të matet me metelikë./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit