Në 24 orët e fundit rrjeti dhe një pjesë e mediave po “ziejnë” për skandalin e Presidentit Bajram Begaj, i cili u nis drejt Nju Jorkut me një delegacion me 22 këshilltarë, ndihmsa, fotografë dhe parukeren e zonjës së parë. Lista që doli në media nga Genc Sejko e zyrtarëve që kreu i shtetit mori me vete në Amerikë nxori në pah atë që ndodh brenda godinës së kreut të shtetit.
Vitin e kaluar, kur Bajram Begaj mori detyrën, në publik profili i tij krijoi perceptimin e një njeriu që pavarësisht se doli nga “xhepi” i Edi Ramës do të kishte një staturë, ndoshta jo të ekuilibruar, por korrekte nisur nga fakti që vinte si gjeneral i Forcave të Armatosura.
“Dora e hekurt” u ndje vetëm pak muaj pasi mori detyrën pasi shkarkoi mbi 20 punonjës të stafit të Presidencës. Por në fakt lista e këshilltarëve që doli në media tashmë zbuloi se shkarkimet e një viti më parë nuk u bënë për paaftësi, por për ta mbushur këtë institucion me qoka.
“Bakja” sikur e njohin njerëzit e tij ku është rritur në Rrogozhinë u transformua totalisht. Lista me delegacionin që mori në Nju Jork i ngjan asaj të “krushqve”. Kap e fut. Ka shumë pikëpyetje. Pa shkuar më tej. Ndoshta edhe hije skandali.
Së pari për çfarë i duhet zonjës së parë shoqëruesja në Nju Jork? Shoqëruesja i duhet vetëm për në Nju Jork, apo paguhet me lekët e taksapaguesve edhe në Shqipëri? Së dyti, në SHBA zonja e parë u nis për koncert që mori parukeren me vete? Në axhendën që Presidenca shpërndau për media, nuk është planifikuar asnjë aktivitet apo dalje e zonjës së parë.
Atëherë kurimi deri me parukere me vete për çfarë duhet në Amerikë? Megjithatë shkojmë më tej. Parukerja Lili Ismaili referohet si këshilltare e jashtme në delegacion. Por nëse shkojmë në faqen zyrtare të Presidencës tek kategoria “këshilltarët” nuk gjendet emri i saj.
Berisha: Begaj-Rama “tabor” me 35 veta drejt Nju Jorkut! 500 mijë Euro shpenzime
Nga 15 këshilltarë në total, Bajram Begaj ka publikuar vetëm emrat e 10 prej tyre. Po pse të tjerët fshihen? A janë “part time” vetëm kur ka udhëtime jashtë? A janë emra të njohur që nuk kanë lidhje me këshillat por janë futur aty si “qoka”? A duhet të presim një tjetër skandal si ky i fundit për të parë kush janë këshilltarët e tjerë?
Zbresim më poshtë në listën e “dasmorëve”. Djali i kreut të shtetit. Donald Begaj. Cili është misioni i djalit të Presidentit? Axhenda nuk thotë asgjë. Ndoshta për të duartrokitur fjalimin e të atit?
Për të pasqyruar aktivitetin “fluturuan” drejt Nju Jorkut zëdhënësja e Presidentit, një specialist për mediat dhe një fotograf. Pa harruar gazetarët nga televizioni publik. Por atje nuk ndodhet vetëm Presidenti. Është edhe kryeministri dhe ministria e Jashtme. Kështu i bie që të jenë të gjithë qeveri në vete. Të gjithë kanë shkuar me zëdhënësja, fotografë dhe specialistë për mediat?
Ky është një skandal që Presidenca as nuk merr guximin që të reagojë. Ta mohojë nëse nuk është e vërtetë. Deri tani vetëm heshtje. Kreu i shtetit, që në fakt duhet të simbolizojë unitetin e popullit ka detyrim që të dalë dhe të sqarojë qytetarët e tij ose të thotë që pas rritjes së pagës që i bëri Edi Rama i mbuloi vetë shpenzimet për “taborin”…
E cilëson këshilltare të jashtme, Sejko: Begaj merr me vete parukieren e Zonjës së Parë në SHBA!