Një person është plagosur me thikë mesditën e sotme. I plagosuri është 28-vjeç. Autori është një 24-vjeçar në kërkim. Të plagosurin e kanë dërguar familjarët në spital për ndihmë dhe sipas policisë është jashtë rrezikut për jetën.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Kukësit ishte dërguar për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi A. E., 28 vjeç, banues në Kukës, i plagosur me mjet prerës thikë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të plagosjes.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. E. ishte plagosur me mjet prerës (thikë), nga shtetasi R. C., 24 vjeç, banues në Kukës, gjatë një konflikti të çastit mes tyre. Shtetasi A. E. po merr asistencë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën” njofton policia. Vijon puna për kapjen e shtetasit R. C. dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij konflikti.