Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me numrin e saktë të agresorëve të vrarë dhe situatën në veri.
Sipas policisë në zonën e fshatit Banjska situata e sigurisë vazhdon të qëndrojë e tensionuar, po ashtu sulmet me armë zjarri ndaj njësiteve policore po vazhdojnë në intensitet të njëjtë.
Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur.
Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
Gjatë veprimeve policore në një lokacion i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.