Zbardhen 2 raste të vjedhjes në dy biznese, të kryera në Tiranë, gjatë ditëve të fundit. Identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar 16-vjeçarë, të cilët qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, e hodhën pistoletën nga dritarja e automjetit.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një automjet, një laptop dhe 11 celularë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ditët e fundit kanë vjedhur një laptop dhe katër celularë, në dy dyqane me pajisje elektronike.
Autorët e dyshuar po qarkullonin të armatosur, me një automjet, në aksin rrugor Shkozë-TEG. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit është larguar dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë, nga dritarja e automjetit. Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur automjetin me trafikndarësen.