Ministria e Jashtme e Kinës tha sot se “Shtetet e Bashkuara janë perandoria e gënjeshtrave”, duke reaguar pas një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit që akuzonte Pekinin se po shpenzonte miliona dollarë në kuadër të përpjekjeve për manipulimin e informacionit.
“Qëllimi i Kinës është “të ndërtojë një ekosistem informacioni në të cilin propaganda dhe dezinformatat e Republikës Popullore të Kinës fitojnë përkrahje dhe bëhen dominuese,” thuhej në raport.
Sipas raporit, Kina po manipulonte median globale përmes censurës, mbledhjes së të dhënave dhe blerjes në mënyrë të fshehtë të mediave të huaja.
“Raporti ka shpërfillur faktet dhe në vetvete është informacion i rremë,” tha ministria e jashtme kineze në një deklaratë.
Sipas ministrisë së Jashtme kineze burim për raportin ishin të dhënat e pavërteta të agjencive të Departamentit amerikan të Shtetit ndërsa sipas saj faktet kanë treguar në mënyrë të vazhdueshme se, “Shtetet e Bashkuara janë perandoria e gënjeshtrave”.
Raporti i Shteteve të Bashkuara vjen mes të polemikave mbi përpjekjet e Pekinit gjatë viteve të fundit, për të luftuar imazhin negativ për Kinën, që sipas saj propagandohet në mediat botërore.
Raporti i Departamentit të Shtetit tha se vlerësimet e saj u bazuan tek të dhënat publike, si dhe në “informacionet e marra rishtazi nga qeveria”./VOA