Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi ka treguar detaje duke thënë se lëvizjet e ushtrisë serbe në drejtim të Kosovës janë bërë në tri drejtime, një në pjesën e kufirit verior të Kosovës, e dy të tjera në atë lindor.
Në njoftim thuhet se kjo lëvizje paraqet kërcënim për integritetin territorial të Kosovës dhe i behet thirrje Serbisë të tërheqë trupat e saj pas.
”Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
”Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë,” thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës thotë se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.
”I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm,” vazhdon njoftimi.