Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi të dielën njoftimet e Shteteve të Bashkuara për një grumbullim ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën, duke u ankuar për siç tha një “fushatë gënjeshtrash” kundër vendit të tij, një javë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Të dielën e kaluar, një oficer i policisë së Kosovës u vra dhe dy tjerë u plagosën në një sulm të një grupi të armatosur rëndë. Grupi më pas u strehua në manastirin ortodoks të fshatit Banjskë. Gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse gjatë tërë ditës, tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.
Sulmi rriti tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi shqetësimet perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake
Qeveria e Kosovës tha të shtunën se po përcjellë lëvizjet e ushtrisë serbe, duke i këkruar largimin e menjëherëshëm të trupave nga kufiri i saj.
“Fushatë e gjerë kundër vendit tonë Serbisë. Fushatë e gënjeshtrave – fushatë e të pavërtetave. Ata kanë gënjyer për praninë e forcave tona ushtarake. Në fakt, ata janë të shqetësuar që Serbia ka ato që i përshkruajnë si armë të sofistikuara”, tha presidenti serb të dielën në një postim në rrjetet sociale.
Agjencia e lajmeve Associated Press publikoi të dielën pamje ku shihen automjete transportuese të ushtrisë serbe duke u larguar drejt Serbisë qendrore, një shenjë se ushtria mund të zvogëlojë praninë e saj në rajon pas thirrjeve amerikane dhe evropiane./VOA
Artikulli i plotë këtu.