Përleshjet midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit janë duke vazhduar të dielën në disa pjesë të Izraelit jugor, raportojnë mediat.
Mëngjesin e së shtunës, nga Rripi i Gazës, Hamasi nisi një valë sulmesh me raketa kundër Izraelit gjë që nxiti përgjigjen e menjëhershme të ushtrisë izraelite me sulme ajrore.
Sipas zyrtarëve, në Izrael u vranë 300 civilë dhe dhjetëra të tjerë u morën pengje.
Zyrtarët palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite vranë së paku 313 njerëz në Rripin e Gazës dhe plagosën mbi 2.000 të tjerë.
Përleshjet u përshkruan si përshkallëzimi më i rëndë i konfliktit izraelito-palestinez në disa vite.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Paqen në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se “kjo është një greminë e rrezikshme” dhe u bëri thirrje të gjithëve që të tërhiqen.
“Ky sulm ka një ndikim të tmerrshëm mbi civilët izraelitë… Civilët nuk duhet të jenë kurrë objektiv i sulmit,” tha komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Tuerk.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shprehu mbështetje të palëkundur për Izraelin, ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se, gjatë ditëve në vijim, Departamenti i Mbrojtjes do të punojë “për të siguruar që Izraeli ka atë që i nevojitet për ta mbrojtur veten dhe për t’i mbrojtur civilët nga dhuna dhe terrorizmi”.
“Po i ndjek nga afër zhvillimet në Izrael. Angazhimi ynë për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur mbetet i palëkundur,” tha Austin.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendi i tij shpreh, po ashtu, mbështetje për Izraelin.
“Jemi thellësisht të tronditur nga sulmi me raketa nga Gaza dhe dhuna në rritje. Gjermania i dënon këto sulme nga Hamasi dhe qëndron në krah të Izraelit”, tha Scholz./REL
Artikulli i plotë këtu.