Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë bërë thirrje të premten për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.
Ky qëndrim është përfshirë edhe në deklaratën e përbashkët, të miratuar në samitin mes SHBA-së dhe BE-së, që është mbajtur më 20 tetor në Uashington.
Nikoqir i samitit ka qenë presidenti amerikan, Joe Biden, bashkë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ndërsa BE-ja është përfaqësuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështesim perspektivën evropiane të rajonit. Të gjithë partnerët duhet t’i vazhdojnë reformat e kërkuara, për të përparuar në rrugëtimin e tyre evropian“, është thënë në pjesën e deklaratës kushtuar këtij rajoni.
Pastaj, në mënyrë të veçantë përmendet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Kjo deklaratë është lëshuar një ditë para vizitës që do ta zhvillojnë pesë zyrtarë perëndimorë në Kosovë dhe Serbi, me qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.
Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd./REL