Në mbrëmjen kur qeveria e tij njoftoi shkrirjen dhe Serbia nisi rrugën drejt zgjedhjeve të reja, Aleksandër Vuçiç, iu drejtua me disa mesazhe kombit të tij, duke shfrytëzuar intervistën në emisionin “Cirilica”, në Tv Happy.
Ai tha se me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, e cila qëndroi mbrëmjen e kaluar në Beograd do të ketë biseda private ku do të flasin për gjëra të rëndësishme për Serbinë.
“Ne i trajtojmë njerëzit gjithmonë si tifozë në stadium, megjithëse unë e kam kaluar atë periudhë, disa thonë me sukses, disa thonë jo. Duhet të kujdesemi për veten dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë për Serbinë. Ne luftuam dhe bëmë detyrën tonë. Është e rëndësishme që ne e shpëtuam Serbinë, pavarësisht se edhe sot nuk mund të ndiheni mirë përderisa vazhdon terrori ndaj popullit tonë në Kosovë dhe Metohi,” tha Vuçiç.
Vuçiç po ashtu tha se Serbia do të jetë gjithmonë nën presionin e ndërkombëtarëve për shkak të Kosovës. Po ashtu, akuzoi opozitën serbe si autoshovinistë, për shkak se mbështesin sanksionet ndaj tij.
“Për ndëshkimin e Serbisë, ishte pro gjithmonë Kroacia, ndonjëherë Bullgaria dhe një pjesë e vendeve skandinave dhe baltike. Askush nuk ka mbrojtur ndonjëherë dënimin e Serbisë aq ashpër sa Kroacia. Si ka mundësi që dikush nga Serbia dëshiron ta dënojë Serbinë, sikur nuk është dënuar sa duhet. Ekziston gjithmonë kjo histori. Që nga bombardimet e NATO-s. Kur kërkoni sanksione ndaj Vuçiçit, ato janë sanksione ndaj vendit tuaj. Kur presidenti i një vendi është nën sanksione, nuk është një mesazh i mirë për një vend. Çfarë bëra për ta merituar,” tha Vuçiç.