Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping i dhanë fund takimit disa orësh, i pari ballë për ballë në një vit, duke u zotuar që të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara.
Dy udhëheqësit folën për marrëveshje modeste për të luftuar fentanilin dhe rivendosur komunikimet ushtarake. Por ende ka dallime të thella lidhur me konkurrencën ekonomike dhe kërcënimet e sigurisë globale.
Të dy udhëheqësit shpenzuan katër orë së bashku, në takime, një drekë pune dhe një shëtitje në kopsht, me qëllimin për t’i treguar botës se, ndërsa janë konkurrentë ekonomikë globalë, ata janë të hapur për të debatuar.
“Planeti Tokë është mjaft i madh që të dy vendet të kenë sukses”, i tha Presidentit Biden homologu Xi.
Presidenti amerikan i tha udhëheqësit Xi: “Unë mendoj se është e rëndësishme që ju dhe unë ta kuptojmë njëri-tjetrin qartë, drejtpërdrejt, pa keqkuptime apo keqkomunikime. Ne duhet të sigurohemi që konkurrenca të mos kthehet në konflikt”.
Takimi i dy udhëheqësve në prag të konferencës vjetore të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, ka nënkuptime të gjera për një botë që po përballet me probleme ekonomike, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Evropë, tensionet në Tajvan dhe më gjerë.
Ata arritën marrëveshje të pritshme për të frenuar prodhimin e paligjshëm të fentanilit dhe për të rivendosur lidhjet ushtarake, tha një zyrtar i lartë amerikan pas përfundimit të takimit.
Shumë nga kimikatet e përdorura për prodhimin e fentanilit sintetik vijnë nga Kina dhe përdoren nga kartelët që e trafikojnë lëndën e fuqishme narkotike në Shtetet e Bashkuara, e cila po përballet me një krizë mbidoze.