“Baba e mixht e mi i kan ba tre miljon euro për pesë vjet…”
Pak kush e kishte dëgjuar emërin e Ilirjana Olldashit deri pak ditë më parë. Një emër, mes dhjetëra të tjerëve, që shansi u kishte rënë të punonin në strukturat e drejtësisë, për më tepër, në një shkallë të lartë dhe të rëndësishme të saj, si gjykatëse e Apelit në Gjykatën kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ndoshta disa familje e kishin të njohur, si familja e qytetarit që, megjithëse i sëmurë rëndë, vdiq në burg, pikërisht se zonja Olldashi u tregua e hekurt.
Çuditërisht, pak kohë më pas, gjykatësja u squll: para vetes kishte dosjen e një figure të njohur, më shumë, ose krejtësisht nga vjehrri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për çështje që mund të ketë dënime të rënda , deri në 15 vite. zonja e dërgoi në shtëpi. Në njërën nga shtëpitë e shumta të tij, pavarësisht se kishte konflikt inmteresi dhe, gjëja më normale do të ishte dorëheqja e saj.
Kur mësova se kush do e gjykonte në Apel kërkesën e zotit Malltezi, apo Berisha, për heqjen e dënimit dhënë nga gjykata e shkallës së parë, megjithëse vetëm mbiemëri më ishte i njohur, prita që kreu i Foltores do i bënte biografinë me rrënjë e me degë, do e sulmonte, si pjesë e një organizate kriminale, do shfletonte dosjet e vjetra, ku është pasioni i tij pushtetar, e jo vetëm pushtetar, do i numëronte të zezat dhe përfitimet që kishte pasur, do e linçonte, si bën me të gjithë kolegët e saj.
Heshtja e Berishës më ndolli mendimin se diçka tjetër është në këtë mes. Vazhdoja të mendoja se , më në fund, drejtësia nuk u tremb nga rrëkeja e mallkimeve, kërcënimeve dhe baltës së zotit Berisha. Nuk e dija se mes dy palëve kishte pasur më shumë se miqësi zonjash, kishte pasur marëdhënie tregtie, sipas të cilit, unë investoj sot te ti, pra të jap një banesë nën çmimin normal, dhe ti nesër, nëse do të kem nevojë për ty, do e shpërblesh ndihmën time.
Por jo vetëm kaq. Shumë nga të akuzuarit e tanishëm, me poste shtetërore dhe të zgjedhur në një kohë të mëparshme, ta zëmë Dako, Gjici, Koka, Bllako, nesër mund të jetë shembulli Beqja, Ahmetaj, janë në gjendje financiare për të shkelur drejtësinë. Ndoshta jo aq sa familja Berisha, apo familja Meta, por një banesë 97 metër katror nuk do të ishte një dëm i madh për to.
Megjithëse ndonjëri prej tyre akuzohet për faje shumë më të lehta se sa dhëndri i kreut të Foltores, për më tepër të sëmurë, vazhdojnë të rrinë në paraburgim. Ndonjëri ende nuk është marrë në pyetje, megjithëse shkoi muaji i katërt i burgosjes së tyre. Pra, në rastin Olldashi nuk është thjeshtë pagesa e reduktuar që ka bërë me Malltezin apo ortakun e tij. As shoqëria që ka me zonjën Malltezi. Është përtej saj.
Qëndron në përceptimin politik të një çështje gjyqësore, në nënshtrimin e gjyqësorit ndaj politikës, në shërbimin e sotëm ndaj politikës, për të pasur një përfitim të nesërm. Është mënyra më e shpejtë për të qenë i sigurtë në të gjitha pushtetet, në njërin që hesht, edhe kur bëhen padrejtësi, dhe, në tjetrin që gjëmon sapo i shkelet viza, megjithëse është familje e njohur ndërkombëtarisht si njësi e korruptuar, që shantazhon drejtësinë, çka po ndodh përditë, minuese e demokracisë, pamjet nga salla e Kuvendit janë dëshmi e kësaj.
Olldashi , “ olldashët” e tjerë, në sistem, ende e përceptojnë politikën si mashën e pasurimit, të gjendjes së tyre të përceptimit politik të drejtësisë. Këtë nuk e shkul dot Vetingu, aq më tepër kur, shpesh herë drejtuesit e kësaj strukture ndalen më shumë në kriterin e parë , të pasurisë, dhe jo sa duhet në dy kriteret e tjerë. Që, shpesh herë janë shumë të rëndësishëm se sa kriteri i pasurisë.
Zonja Olldashi e kreu detyrën e saj. Është e vërtetë se dhënia e një vendimi nga gjykata nuk diskutohet, por analizohet. Nëse precedentët e mëhershëm kanë sjellë një mënyrë përceptimi ndaj fajit dhe masave ndaj fajtorëve, prishja befas e tyre, edhe në një rast kaq madhor, përbën dalja nga rregulli, por edhe më tej se kaq: triumfi i drejtësisë është ende larg, rrënjët e vjetra të nepotizmit, miqësive, përfitimeve, korrupsionit janë ende në sistem, bëjnë pjesë në llojin e atyre që ende nuk e kanë kuptuar, ose nuk duan të kuptojnë, se krimi ka emër, dhe, nëse jo sot, një ditë të ardhshme , krimi do të ketë një emër të caktuar, mes emrave të tjerë, po të botës së krimit.
Olldashi është një rast tipik i shkelmimit të drejtësisë dhe rikthimit në drejtësinë e mëhershme. Është rasti kur politika e vë poshtë vetes drejtësinë, e sundon, e deformon dhe në fund, i shkel dinjitetin. Ditë më parë, shefi i qeverisë deklaroi se reforma e drejtësisë është vepër e qeverisjes socialiste, pasi ata e drejtuan, e ngitën dhe po e realizojnë.
Mohimi i ndihmës dhe drejtimit nga shtetet dhe institucionet jashtë Shqipërisë është mëkat. Por, nëse është e vërtetë, atëherë sistemi i ngritur po çalon, jo vetëm në rastin Olldashi, që, edhe pas shfaqjes së konfliktit të interesit vazhdonte të qëndronte në gjykimin e pjesës së dytë të dosjes Malltezi, sekuestrimin e pasurive të shumta, marramendëse për një familje të re, pa asnjë biznes të saj, asnjë të ardhur të ndjeshme. Sisemi po çalon në shumë hallka.
Paratë e pista po investohen në Shqipëri. Po investohen në pasuri të paluajtshme, por edhe në ndërtime të tjera. Faktet janë tronditëse. Bandat e drogës po investojnë në qeverisjen e majtë, e cila bën mirë që nuk sheh kritere partiake, përderi sa shefit të truprojeve të Berishës i jep konçensione, por bën fajin e madh që nuk ndjek paratë që investohen.
Kryebanditi Mata, pa të keq i propozon të kalojë në llogarinë e famljes Breçani, familje e afërt me ish kryeministrin Berisha, t’i kalojë 500 mijë euro nga një llogari e hapur në emër të një figure të njohur të botës së artit. E njëjta familje ndërton komplekse të mëdha në mesin e Tiranës, ende askush nuk pyet burimin e parasë së derdhur, që të gjithë e kanë ditur se kujt i takojnë, vetëm shteti, drejtësia ka heshtur. Shqipëria ka tani të ngritura disa hallka të kontrollit të pasurive, ka Byronë Kombëtare të Hetimit, që nuk e kanë për detyrë të pjekin “ petullat” që u servitin të tjerët, nga denoncimet, por edhe të zbulojnë origjinën e krimit.
Si është e mundur që një familje, e lidhur me shefin e opozitës, në pesë vite bën një pasuri prej 3 milionë euro, që djemtë e fisit janë pjesë e bandave të drogës, që bëjnë akidente të rënda, duke gjëmtuar përjetësisht njerëz të veçantë, e, përsëri, dalin pa lagur, askush nuk i kontrollon, askush nuk i bën zap.
Krimi ka emër. Sido që të kërkosh lehtësimin e gjendjes, krimi vjen më së shumti nga politika, për të qenë pjesë e një llumi shoqëror, që, pa asnjë brerje ndërgjegje , ditën dhe natën, nganjëherë thjeshtë për qejf apo se u kanë zënë pamjen, vrasin, djegin, vjedhin, kontrabandojnë, bëjnë tregtinë e drogës, kthehen përsëri në krime, krijojnë klane mafioze, dhe, thuajse të gjithë kapot e tyre e kanë njërën këmbë, e shpesh të dy këmbët në njerëzit e politikës.
Në këtë rast , qoftë Martinaj, qoftë Mata, qoftë Dumani, qoftë Lici, qoftë Breçani, qoftë Bujar Ahmeti, qoftë Gjin Gjoni dhe nipi i tij, shefi i krimeve që bëhet pjesë e krimit, janë pjesë e politikës, të afërt dhe zelltarë të Foltores, ngritës të struturave paramilitare, njëjtë si ato që ngriti shteti serb gjatë luftës, por edhe tani në Kosovë.
Për çdo rast Berisha ka ngritur zërin, ka sajuar, ka fallsifikuar, ka denoncuar. Tani hesht. Përmes njerëzve të tij përhap idenë se, ja, unë i mbroj njerëzit e mi, ndërsa Edi Rama i shet ato. Por këto dy grupe të botës së krimit nuk ka mundur t’i mbrojë. Sepse ka një hall më të madh para: të mbrojë familjen e tij.
Ilirjana Olldashi është një ndër gjykatëset e zëna ngushtë, më shumë nga politika, se sa nga një përfitim që mund të ishte disa dhjetra mijëra euro. Shumë njerëzve në sistemin e drejtësisë kaq para nuk i hynë në sy. Kur të tjerë, edhe pse kanë qenë shefa të mëdhenj të Policisë së Shtetit, në pesë vite bëjnë 3 milion euro pasuri, dhe asgjë e deklaruar.
Më shumë se sa vendimi i një gjykatëse, pavarësisht nga motivi që është nisur, më tremb precedenti i krijuar. Ai i shembjes së sistemit të drejtësisë, përsëri në këmbët e politikës./ DITA