Dy ditë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, zëvendësministri i Jashtëm, Andrei Rudenko, iu adresua Dhomës së Ulët të Parlamentit në atë që do të shndërroheshin në hapat e parë të Kremlinit për të aneksuar territorin e rajoneve lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut.
Në adresimin e tij u përfshinë akuzat se Ukraina po “sabotonte” negociatat e mbajtura nga Grupi Trepalësh i Kontaktit, i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), trup rajonal i sigurisë me 57 anëtarë që ka selinë në Vjenë dhe që aktualisht e gjen veten në krizë për shkak të vetove ruse para një takimi kyç të Këshillit Ministror më 30 nëntor.
Rudenko kishte njohuri të thella për OSBE-në, udhëheqja e së cilës menjëherë pas dy ditësh dënoi pushttmin rus dhe jo vetëm sepse ai më herët kishte shërbyer si i dërguar i lartë rus në këtë organizatë.
Në kohën e pushtimit rus dhe negociatave trepalëshe, gruaja e Rudenkos po shërbente si politikane e lartë dhe asistente administrative në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së. Ky post i dha asaj qasje në takimet e nivelit të lartë të OSBE-së dhe në informacione, sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian.
Bashkëshortja e Rudenkos, e lindur në Kirgizi dhe e quajtur Saltanat Sakembaeva, është një prej disa shtetasve rusë, punësimi i të cilëve në OSBE ka rritur shqetësimet lidhur me qasjen e Kremlinit brenda trupit ekzekutiv të organizatës që ka luajtur rol qendror në monitorimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjeve për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit, gjeti një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (lexo ketu shkrimin e plote).