Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua sot në Kongres me ligjvënësit amerikanë, për t’u bërë një lutje të fundit që të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për luftën e vendit të tij kundër Rusisë.
Këtë herë ai u duk më i ngrysur, krahasur me vizitën e tij vitin e kaluar në Kongres kur u prit si një hero.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha pas takimit me Presidentin Zeleknskyy se administrata e Presidentit Biden duhet të japë më shumë detaje se si do të përdoren fondet.
“Ajo që duket se administrata e Presidentit Biden po kërkon janë miliarda dollarë shtesë pa mbikëqyrjen e duhur, pa strategji të qartë për fitoren dhe pa asnjë përgjigje për ato që kërkon populli amerikan”, tha zoti Johnson.
Republikanë të tjerë hodhën dyshime nëse fondet shtesë do ta ndihmojnë Ukrainën të mposhtë Rusinë, pas një ofensive verore që nuk ka sjellë përfitime të qarta.
“Unë e di se të gjithë duan fitoren e Ukrainës, thjesht nuk po e shoh që kjo të ndodhë”, tha senatori republikan Ron Johnson.
Disa republikanë, veçanërisht ata që kanë lidhje të ngushta me ish-Presidentin Donald Trump, kundërshtojnë ndihmat shtesë për Ukrainën dhe ngrenë pikëpyetje mbi qëllimet e luftës dhe mënyrën se si po shpenzohen fondet e SHBA-së. Ata e kanë kushtëzuar ndihmën për Ukrainën me ndryshimin e politikave amerikane të imigracionit një çështje jashtëzakonisht e debatueshme në politikën amerikane./VOA
Artikulli i plotë këtu.









