“Duket të jetë një ndjesi pak a shumë si ajo e fëmijëve natën e Krishtlindjes që presin me padurim dhuratat”, thotë një nëpunës i lartë i BE-së në valën e përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin. Dhuratat e mundshme të ambalazhuara bukur do t’u tregohen sot (13.12.2023) në Bruksel krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Por në fakt, se kush do të marrë çfarë konkretisht do të vendoset të enjten (14.12.2023) në samitin e 27 anëtarëve të BE-së pa praninë e vendeve të Ballkanit.
Data konkrete për anëtarësimin e Shqipërisë, të Serbisë, të Malit të Zi apo të Maqedonisë së Veriut nuk do të përmenden. Me këto katër shtete Komisioni i BE-së po negocionon për përshtatjen e legjislacionit, shtetëndërtimit dhe praktikave qeverisëse sipas normave të BE-së. Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në një fjalim në Bled të Sllovenisë u shpreh për një afat antarësimi në vitin 2030. Por këtë afat BE asnjëherë nuk e ka përfshirë zyrtarisht në deklaratat e samiteve të veta. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka kërkuar rritjen e shpejtësisë për procesin e zgjerimit, po as ai nuk është shprehur konkretisht. (Lexo ketu shkrimin e plote)