Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar vendimin e shumicës socialiste për të miratuar pa konsensus dhe pa asnjë debat, por vetëm në 8 minuta dhe me qëllim të qartë kundër opozitës, rregulloren e re të parlamentit. Kjo rregullore përfshin masa nga 30 deri në 60 ditë përjashtim për deputetët që prishin seancat plenare.
“Ndryshimet e njëanshme të Rregullores së Kuvendit të bëra në mënyrë arbitrare dhe përjashtuese synojnë asgjësimin e opozitës dhe parlamentarizmit. Ndaj pezullimi i mandateve të deputetëve në këtë mënyrë antikushtetuese është i papranueshëm. Vetëm plotësimi i kërkesave të opozitës rikthen normalitetin në Kuvend dhe garanton rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë”, shkruan Meta.