Partia Demokratike ka dorëzuar një projekt propozim në Kuvend, ku kërkon heqjen e imunitetit të deputetëve.
Sekretari për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësuesi ligjor i PD, Rezart Kthupi tha se propozimi parashikon që brenda 5 ditësh nga miratimi, të ndërmerren procedurat e duhura për heqjen e imunitetit.
“PD ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një simbol të pabarazisë ndërmjet të zgjedhurve dhe zgjedhësve të tyre.
Në vazhdën e këtyre qëndrimeve të kahershme, PD ka depozituar ditën e djeshme në Kuvend një projekt propozim, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.
Projektvendimi për ndryshimin e rregullores së Kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda pesë ditësh nga miratimi i propozimit apo nga fillimi i legjislaturës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit, një deklaratë me shkrim, në të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastin e hetimeve penale,” tha ai.