Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka mbajtur një fjalim të gjatë dhe kritik në Kuvend, duke i drejtuar akuza të forta qeverisë për situatën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Ai tha se protestat e fundit, përfshirë atë në Zvërnec, janë rezultat i arrogancës së pushtetit dhe indiferencës ndaj problemeve reale të shqiptarëve, duke theksuar se qytetarët po përballen me vështirësi të mëdha për të mbajtur familjet dhe për të përballuar shpenzimet e përditshme.
“Zvërneci ishte pika që derdhi gotën për arrogancën tuaj. Ajo tërheqja zvarrë është piktura më e shëmtuar që i keni dhënë këtij vendi në 13 vite pushtet. Ka të majtë e të djathtë në protestë. Flisni për pensionet, por a i keni pyetur ndonjëherë pensionistët se si e mbyllin muajin? Kam pyetur nënën time, merr 128 mijë lekë të vjetra. Cila Europë të fut me 100 euro? Nuk pret dot as biletën e avionit. Njerëzit thonë ‘ishalla s’më ftojnë në dasëm se nuk kanë lekë të shkojnë në sebepe e xhenaze’, e mbajnë frymën gjallë me atë që u sjellin fëmijët. Ju që thoni do të marrim 61 bashki, merrini e mos u fryfshi. Shikoni sa ndihmë ekonomike marrin njerëzit, 27 mijë lekë. Nuk mban dot frymën gjallë. Duhet të dëgjojmë ulërimat e tyre dhe të shihemi në pasqyrë për të parë çfarë është bërë në këto 30 e ca vite. Prandaj janë derdhur në shesh, sepse u tregoni arrogancë dhe ua përplasni dyert në fytyrë në zyrat e shtetit”, tha Korreshi.









