Policia vijon hetimet për të zbardhur ekzekutimin e tipit mafioz të 23-vjeçarit Gëzim Sinomati. I riu u qëllua me snajper në ballkonin e banesës në Vlorë mbrëmjen e djeshme ku kishte dalë të pinte cigare.
Një plumb i mori jetën. 14 persona janë shoqëruar deri tani. Mjeti i autorëve u djeg në lagjen 24 Maji, por arma e krimit nuk është gjetur. Eksperti i sigurisë Fatjon Softa u shpreh në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” se pista kryesore është hakmarrja.
“Kjo është një tjetër ngjarje e rëndë kriminale e organizuar nga grupe mafioze dhe nga profili i personit dhe atë që përshtjell këtë person me familjarët e tij një pistë e mundshme mund të jetë hakmarrja.
Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit, ish-anëtar i bandës së Gaxhait që është dënuar për vrasje dhe më pas është liruar nga akuza e vrasjes nga Gjykata e Lartë që nga burgimi i përjetshëm e favorizoi për vjedhje me dhunë duke e dënuar me 16 vite.
Xhaxhai i tij është person me precedent, i ndaluar në Belgjikë dhe një vit më parë iu vendos eksploziv. Këto janë ato pista dhe elementë që krijojnë atë që një nga pistat më të mundshme mund të jetë hakmarrja. Por kjo nuk përjashton përfshirjen, gjobat, pagesat, apo lëndët narkotike” tha ai.