-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: NATO me dilema të reja

Kryesoret

Nëse më 1999 ditëlindja e NATO-s solli lirinë e Kosovës, ditëlindja e 2024-s ka për sfidë lirinë e Ballkanit Perëndimor

1.

Në të mbushur NATO ditëlindjen e pesëdhjetë në prill të vitit 1999 duhej të isha në Washington, ku mbaheshin Samiti jubilar dhe një ngjarje paralele e German Marshall Fund, në të cilën qe paraparë të flisja. Ato ditë e shikoja Samitin në TV, i fshehur në një shtëpi miqsh në Prishtinë, ndërsa NATO bombardonte pozicionet e ushtrisë serbe në Kosovë e Serbi e policët dhe ushtarët e Serbisë ndiqnin shqiptarët nga Kosova.

Një vit më herët, ndërsa Serbia kishte filluar luftën e armatosur kundër shqiptarëve në Kosovë- ndonëse si operacion kundër UÇK-së por me vrasje e përndjekje civilësh-në mesin e mendimtarëve, diplomatëve dhe vendimmarrësve në Perëndim u shtrua një pyetje e thjeshtë: nëse NATO nuk mund të ndalë luftërat e vogla si këto të Ballkanit në kontinentin evropian, çfarë është vlera e kësaj organizate për sigurinë në kontinentin evropian, tash pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të luftës së ftohtë?

Përgjigjja ishte evidente: më 1998 vendet kyç të Aleancës ndërmorën aktivitet diplomatik që duhej ta ndërpriste luftën në Kosovë dhe të krijonte kushte për arritjen e një marrëveshjeje transformative paqeje. Kërcënimi me bombardime, i nënshkruar nga J.Solana në vjeshtë të vitit 1998, Konferenca e Rambouillet, e në fund edhe bombardimi i Serbisë dhe vendosja e Kosovës nën administrim ndërkombëtar ishin përgjigje më se evidente ndaj pyetjes se a ka vlerë më NATO pas rënies së Murit të Berlinit?

2.

Në korrik të këtij viti NATO sërish do të mblidhej në Washington për Samitin jubilar, ditëlindjen e 75-të, dhe pyetjet rreth vlerës së shtuar besoj tashmë do të riformulohen. Nëse më 1999 pyetja ishte çfarë është vlera e NATO-s për Evropën nëse nuk mund të ndërpresë një luftë të vogël në Ballkan, tashmë pyetja është më e vështirë: si do të duket NATO nëse nuk mund të arrijë që ta ruajë Ukrainën nga pasojat e agresionit rus?

Nëse gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar duhej bindur analistë e diplomatë se përkundër rënies së Murit të Berlinit, gjegjësisht fundit të luftës së ftohtë, siguria e kontinentit evropian nuk është se do të mbahet vetvetiu, tashmë me agresionin në Ukrainë kontinenti evropian ka hyrë në një luftë të nxehtë e cila ndoshta do të kalojë në fazën e luftës së re të ftohtë, gjegjësisht tërheqjes së vijës globale të fërkimit mes botës euroatlantike e botës euroaziatike. Vija tashmë ka dy vjet që po vizatohet me gjakun e ushtarëve ukrainas e atyre rusë, në pjesën e okupuar të Ukrainës. Pyetja për NATO-n nuk është se a ka vlerë në një Evropë të lirë pas rënies së komunizmit, por si ta krijojë sërish lirinë, në kufijtë e saj prej Portugalisë deri në Ukrainë?

3.

Pyetja e re e dalë nga agresioni rus në Ukrainë ka pasoja të drejtpërdrejta për Ballkanin Perëndimor.

Lufta e vitit 1999 përfundoi me fitoren ushtarake të NATO-s, me kapitullimin e ushtrisë serbe të nënshkruar në Kumanovë. Por nuk kapitulluan ideologjitë që çuan në luftë. Sot NATO në Kosovë e BH mbikëqyr një regjion në të cilin konflikti po vazhdon me mjete të tjera, një valë revizionizmi që nuk pranon se shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, përfshirë edhe Kosovën, kanë të drejtë të ndjekin rrugën e tyre të pavarur drejt një caku të përbashkët, të integrimit euroatlantik.

Dhe këto luftëra të papërfunduara nuk janë vetëm në kokën e revizionizmit serb. Janë pjesë e një gare gjeopolitike e cila zhvillohet gjatë një çerekshekulli të shekullit XXI mes euro-atlanticizmit dhe Rusisë. Në këtë garë Rusia ka përdorur, me investime minimale e profit të lartë, nxitjen e revizionizmit si formë e moslejimit e përmbylljes së integrimit euroatlantik të regjionit. Për Rusinë e Putinit, për më tepër, revizionizmi është forcë prijëse për mënyrën e sjelljes ndaj popujve të ish-Bashkimit sovjetik, siç shihet me Ukrainën. Dhe, rrjedhimisht, një ndërlidhje që ka një përzierje ideologjike e pragmatizmi gjeopolitik: Ballkani Perëndimor dhe Ukraina janë të ndërlidhur me projektin e fundit të luftës në Ukrainë, e në mendjen e Moskës ky duhet të jetë rivizatimi i kufijve.

Në gjashtë muajt e ardhshëm, deri në Samitin e Washingtonit, V.Putini do të jetë i interesuar që të tregojë në Ukrainë se NATO nuk ka kapacitet për ta bërë Evropën të lirë, së paku jo në kufijtë e shteteve siç njihen nga bashkësia euro-atlantike. Të njëjtën gjë pritet ta bëjë në Ballkanin Perëndimor, qoftë në BH, Kosovë e Mal të Zi, me instrumentalizim të vullnetshëm të Serbisë për këtë.

E, në gjashtë muajt e ardhshëm, përballë Putinit do të jetë një interes krejtësisht tjetër, ai i presidentit Biden, jo vetëm si nikoqir i Samitit e president i shtetit ideator të Aleancës, por edhe si kandidat për zgjedhjet presidenciale për të treguar të kundërtën, se NATO ka kapacitet që sërish të vendosë e të garantojë lirinë në kontinent.

Në gjashtë muajt e ardhshëm para presidentit Biden do të jetë sfida e madhe e Ukrainës, por ndërlidhur me të edhe ajo e Ballkanit Perëndimor.

4.

Kjo sfidë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në mund ndoshta të bartë me vete, pos pasigurisë që përbën sfida, diç që në anglisht quhet “blessing in disguise”, një bekim të maskuar. Politika e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur peshën e dedikimin për të bërë transformimin e konflikteve të papërfunduara të regjionit. Komisioni i tanishëm evropian hyn në vitin e fundit të mandatit dhe nuk është se mund të jetë i kënaqur me gjendjen në Ballkan Perëndimor. Dhe përkundër krijimit të instrumenteve nxitëse për përshpejtim të integrimit të regjionit në BE, rezultati nuk është shumë inkurajues: në garën mes vizionit evropian dhe revizionizmit serb, vit pas viti fiton më shumë forcë revizionizmi serb. Fondet IPA nuk parandaluan sulmin paraushtarak në Banjskë; në fakt, sulmi në Banjskë është përfundim logjik i një politike të BE-së që nuk e sheh revizionizmin si një rrezik sigurie.

Samiti i NATO-s dhe gjashtë muajt e ardhshëm së paku mund të sjellin një konstatim të thjeshtë: Ballkani Perëndimor nuk është një regjion i “business as usual” të integrimit në BE, diçka që ka ndodhur me vendet si Çekia apo Polonia. Çështja e Marrëveshjes së normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht, nuk është edhe një prej qindra obligimeve të adaptimit ndaj normave të BE-së (si ligji për farëra bujqësore, të drejtat e peshkimit, mbrojtjen e specieve të faunës e florës), por çështje bazike e sigurisë. Për më tepër, çështje bazike e sigurisë e lidhur me definimin e rolit të NATO-s në paparashikueshmërinë e së ardhmes.

Nëse më 1999 ditëlindja e NATO-s solli lirinë e Kosovës, ditëlindja e 2024-s duhet të sjellë një përkushtim për lirinë e tërë regjionit të Ballkanit Perëndimor./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit