Mediat italiane zbardhin detaje të reja nga vrasja e shqiptarit Bledar Dedja, prind i dy fëmijëve, jetonte prej vitesh përtej Adriatikut. 39-vjeçari që jetonte në Asolo (Treviso) u gjet i masakruar me thikë mëngjesin e së dielës në pyjet e Paderno del Grappa.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për takim që përfundoi keq. Ai me gjasë tentoi t’i ikte vrasësit, duke u larguar gati 100 metra nga makina, që u gjet në vendin ku ndodhi krimi.
Po sipas dyshimeve të para, vrasja e 39-vjeçarit nuk ka ndodhur për shkak të një tentative për ta grabitur. Portofoli dhe të gjitha sendet personale nuk janë prekur nga vrasësi.
Karabinierët kanë marrë po ashtu në pyetje familjarët dhe miqtë e 39-vjeçarit. Kryesore për ta është të zbulojnë se kë do të takonte pasditen e së shtunës. Goditja fatale ishte në mushkëri, ndërsa të shumta janë plagët që mori në duar në tentativë për t’u mbrojtur.
Zona ku ndodhi vrasja nuk është e mbuluar me kamera sigurie publike. E vetmja shpresë është që makina Mercedes e viktimës të jetë kapur në një prej kamerave private të instaluara nga shtëpitë private në zonë.