Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Flmur Noka, në një deklaratë për media ka zbardhur diskutimet nga mbledhja e Kryesisë.
Noka thekson se përjashtimi i 19 deputetëve të opozitës tregon se regjimi ka një vullnet për të asgjesuar çdo kundërshtarë që i del kundër, dhe se Kryeministri Edi Rama është duke hedhur hapa të rrezikshëm për krijimin e një neodiktature.
Ai tha se diskutuan të gjitha format e diversifikimit dhe përshkallëzimit ku paralajmëroi protesta në të gjithë vendin.
“Vendimet për të përjashtuar dhe shpallur armiq deputetët e opozitës, të cilët në seancën e fundit demonstruan krejtësisht brenda rregullores, me pankarta, tregon se regjimi ka një vullnet për të asgjësuar çdo gjë, forcë dhe kundërshtar që nuk mund të hyjë në kthetrat e tij. Rama po hedh hapat më të rrezikshëm të instalimit të një neodiktature.
PD është e vendosur të qëndrojë përballë dhe diskutuam format e diversifikimit dhe përshkallëzimit duke e çuar me mosbindje civile.
U diskutuan dhe format e përshkallëzimit që do të zbresim në të gjitha degët e Shqipërisë, do të ketë protesta në të gjitha rrugët”, tha Noka.
Ndër të tjera, deputeti demokrat foli dhe për 4 koordinatorët, për të cilët tha se do të jenë ndihmës në çështjet e organizimit të partisë, ndërsa për Belind Këlliçin tha se do të jetë drejtues politik i Tiranës.
“Zyra e organizimit do të forcohet me 4 koodrdinatore, Këllëçi do të jetë drejtues politik i Tiranës. Janë ndihmës në çështjet e organizimit të partisë. Çështje ditësh do të merrni vesh për bashkimin e PD-së”, tha Noka.