Komuniteti shqiptar në Florida u trondit pak ditë më parë kur Renato Muhaj masakroi me thikë bashkëshorten e tij me të cilën jetonin të ndarë prej dy vitesh, Suela Saliaj, 32 vjeç.
E gjithë ngjarja u krye në sytë të vajzës së mitur të çiftit. Përfaqësuesi i shoqatës Vatra, Tasim Ruko tha në një intervistë në “Breaking” se shkaku i ngjarjes së rëndë dyshohet të ketë qenë fakti që autori ishte përdorues i lëndëve narkotike.
“Jam shumë mik me babain e Suelës. Shkaku sipas prindërve të Suelës ishte se Renato ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe sipas tyre kjo ka qenë arsyeja që jetonin veç prej dy vitesh.
Suela e kishte nxjerrë nga shtëpia për arsyen se përdorte lëndë narkotike. Ajo do ta merrte sërish në shtëpi nëse do ta ndërpriste këtë ves”, tha Ruko.
Sipas tij, “djali ushtroi dhunë edhe mbi prindërit e tij në orën 2.30 të natës. Pasi ushtroi dhunë mbi prindërit, shkoi te Suela pasi kishte një çelës. Nuk dihet nëse ka qenë droga apo problemet mendore.
Në Florida aplikohet dënimi me vdekje nëse nuk provohet që ka probleme mendore. Vajza e vogël ishte prezente kur ai masakroi nënën e saj me thika. Dje ka qenë në gjendje të mirë” tha ai.