Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Me gjithë trysnin ndërkombëtare, Kosova e nisi më 1 shkurt zbatimin e rregullores, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, megjithëse përmes një periudhe të papërcaktuar tranzicioni të lehtësuar.
“Qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për t’i vlerësuar pasojat, për t’i dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjetër për gjetjen e një zgjidhjeje funksionale”, tha DASH për Radion Evropa e Lirë.
DASH-i i bëri thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa, siç tha, të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.
“Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, tha DASH.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.









