Maqedoninë e Veriut e drejton një shqiptar. Talat Xhaferi, komandanti që u bë kryeministër. Por si do të ndikojë kjo tek shqiptarët dhe partitë përpara zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24 prill. “5Pyetjet.al” zhvilloi një bisedë në “Skype” me analistin Faton Mehmedi, i cili bëri një panoramë të situatës mes shqiptarëve dhe mesazhet e forta të Ali Ahmetit nga Kumanova. Roli i Albin Kurtit tek bashkimi i opozitës shqiptare, por mbi të gjitha skenari i opozitës maqedonase dhe asaj që pritet që të ndodhë pas zgjedhjeve.
“Takimin e parë me qytetarët kryeministri i parë shqiptar Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti e mbajtën në Kumanovë dhe aty u dërguan mesazhe ndaj këtyre fenomeneve që pritën të ndodhin. Ali Ahmeti e tha shumë qartë se “edhe pse ne e ndjekim rrugën e integrimit dhe dëshirojmë që ky shtet të ecë përpara me këtë format që është sepse nuk bëhet dëm nëse është Talat Xhaferi shqiptari kryeministër”. Mirëpo, potencoi se kemi edhe anën tjetër, Ali Ahmeti riktheu kërcënimet, e dërgoi mesazhin nga Kumanova, që është qytet simbolik, lufta e 2001 këtu kulmoi.
Mesazhi dhe takimi nuk ishin të rastësishëm. Këto mesazh janë drejtuar ndaj komunitetit maqedonas dhe faktorit ndërkombëtar, se për qejfe dhe urrejtje ndaj shqiptarëve të partive të caktuara ndaj shqiptarëve, ne shqiptarët nuk mund të presim, të jemi peng të ideologjive të instaluara nga ish-sistemi Jugosllav dhe struktura që mendojnë që mund të rikthejnë Maqedoninë para vitit 2001 nëse fitojnë 61 deputetë që nuk i kanë pranuar shqiptarët, e cilësojnë si komplot të shqiptarëve ndaj Maqedonisë. Ne kemi të bëjmë me një ideologji, pak a shumë, me inspirim Millosheviçian” tha ai.
Në fund, analisti theksoi se opozita shqiptare do të nxjerrë një kandidat për President. “Nga opozita shqiptare mendoj se do të kemi një kandidat të përbashkët shqiptar. Ndërsa nga BDI mendoj se do të ketë një kandidat të përbashkët për President me LSDM-në” tha ai.