Në Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan më 12 shkurt kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa, duke përjashtuar dinarin serb.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, përkundër kundërshtive nga serbët lokalë dhe faktori ndërkombëtar.
Protesta, që u përkrah nga sindikata e punëtorëve serbë që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, u mbajt pranë urës kryesore mbi lumin Ibër.
Pjesëmarrësit në protestë ishin nga të gjitha komunat ku jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Tek ura mbi Ibër ishin të pranishëm pranishëm pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në fillim të protestës, organizatorët thanë se përmes saj po ngrihet “zëri kundër padrejtësisë dhe përndjekjes së Prishtinës për të hequr dinarin e fituar me mund”.
“Vendimi për të hequr dinarin, për të na pamundësuar tërheqjen e pensioneve të merituara, do të thotë se po merret buka e gojës, po na ndërpritet jeta”, tha në emër të pensionistëve, Dushanka Qoroviç. /REL